Rindërtimi, kurthi i regjimit oligarkik për zgjedhjet e ardhshme

VEHAP KOLA

Nuk ka kryefamiljar më të keq se ai që shfrytëzon e dhunon gruan dhe fëmijët e tij dhe kur çështja shkon në Gjykatë për divorc, ai orvatet të kandisë fëmijët me para të marra borxh nga një fajdexhi, që ata të bëhen me të kundër nënës së tyre, që ai, menjëherë pas divorcit, t’i nxjerrë ata sërish në punë a në trotuar për të lypur për qejfet e babait të tyre.

Kjo është ajo që Edi Rama dhe regjimi i tij janë duke u përpjekur t’u bëjnë shqiptarëve në vitin e shtatë të qeverisjes. Pasi e ka rrjepur vendin nga të gjitha burimet natyrore, ka dhënë Shqipërinë me koncesion tek oligarkët, ka rrënuar bizneset e mijëra familjeve me politikën e tij fiskale antisipërmarrje, antiinovacion dhe antikonkurrencë, ka përzënë nga vendi rreth 500 mijë qytetarë të moshave më aktive për punë, ka lënë në qiell të hapur prej afro një viti familjet e mbetura pa strehë pas tërmetit, Rama ka bërë një plan si t’i bëjë për vete.

Në projektligjin për buxhetin 2021, qeveria e tij parashikon të nisë rindërtimin e shtëpive të rrënuara nga tërmeti me një fond prej rreth 200 milionë eurosh. Megjithëse këtë duhet ta kishte bërë prej muajsh, qeveria e tij nuk parashikon ta fillojë rindërtimin përpara fundit të këtij viti, ndonëse shuma e parashikuar është sa një e pesta e fondit të siguruar nga konferenca e donatorëve për këtë qëllim. Sado që të jenë rrudhur angazhimet e donatorëve, ato nuk janë pakësuar me pesë herë.

Siç duket, Rama nuk dëshiron që në fushatë të shkojë me shtëpi të ndërtuara, por me shtëpi të nisura që shtëpitë gjysmake t’i përdorë si presion për shqiptarët e pastrehë që vuajnë prej afro një viti në çadra. Akoma më shumë e përforcon këtë skenar fakti që asnjë nga organizatat e shoqërisë civile, që mblodhën rreth 20 milionë euro donacione nga diaspora apo shtete mike si Turqia që u angazhua të ndërtojë 500 shtëpi në Laç, nuk kanë filluar ndërtimin e shtëpive. Duket se qeveria ka kërkuar prej tyre të mos e fillojnë rindërtimin deri në një kohë më të volitshme për interesat politike të saj.

Mosnisja e punimeve duket, pra, një strategji e mirëmenduar elektorale e regjimit në Tiranë. Zonat e prekura nga tërmeti janë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Qarqet e Durrësit, Lezhës dhe Tiranës sjellin në Kuvend 55 deputetë dhe praktikisht do të vendosin për rrotacionin. Ndryshimet në veri apo jug nuk mund të krahasohen me peshën e këtyre tri qarqeve. Prandaj, regjimi do ta përdorë rindërtimin si kalin e betejës në këto zona.

Pjesa më e shëmtuar e këtij projekti votëdeformues është fakti që projektbuxheti 2021 bën parashikime shumë optimiste për të ardhurat në buxhet gjatë vitit të ardhshëm. Si asnjëherë tjetër, rritja e të ardhurave buxhetore në raport me vitin pararendës projektohet të jetë 10 %. E gjithë kjo panoramë optimiste e qeverisë ngrihet mbi një buxhet faktik 2020, që dihet se do të jetë shumë më i varfër se ai i parashikuar. Ende pa filluar kriza shëndetësore, ekonomia shqiptare, sipas Eurostat, humbi 400 milionë euro vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2019. Nuk ka të dhëna të besueshme të humbjeve gjatë 3 muajve të karantinës, por vende si Gjermania, që kanë aplikuar masa shumë më të buta kufizuese, kanë regjistruar rënie prej 10% të ekonomisë vetëm gjatë tremujorit të dytë 2020.

Ndërsa pandemia do të vijojë të godasë rëndë ekonominë dhe qeveria nuk ka në plan të ofrojë asnjë ndihmë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, është tërësisht realiste të pritet që viti që vjen të jetë një vit i një krize të thellë ekonomike. Falimentimi i mijëra bizneseve këtë vit do t’u mohojë vendin e punës dhe të ardhurat e mbijetesës dhjetëra mijëra familjeve. Izolimi i plotë nga Europa për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë nga qeveria zhbën edhe opsionin e emigrimit dhe azilkërkimit, që është ndjekur këto 7 vite nga të gjithë ata të rinj apo familje të reja shqiptare që kanë humbur çdo mundësi jetese në vend.

Atëherë, ku do t’i gjejë qeveria fondet për të rindërtuar shtëpitë? Përgjigjja e saj është:

BORXHI. Rama planifikon të marrë 580 milionë euro borxh shtesë, tani që niveli i borxhit publik ka arritur 80% të Produktit të Brendshëm Bruto. Nëse bëjmë një llogaritje rigoroze të borxhit duke përfshirë edhe angazhimet e qeverisë në skemat koncesionare dhe detyrimet e prapambetura, vlera e borxhit arrin në rreth 14 miliardë euro, që është faktikisht edhe vlera e Produktit të Brendshëm Bruto. Pra, ekonomia shqiptare operon sot nën presionin e një borxhi prej 100% të GDP-së.

Me një skenar të tillë falimentimi ekonomik e financiar, është e sigurt se muaji i mjaltit i prenotuar nga regjimi për fushatën e ardhshme elektorale do të mbarojë ditën e zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet nuk prodhojnë rrotacion, të nesërmen e asaj dite shqiptarët do të duhet të rikthehen aty ku ishin: duke punuar për të shlyer borxhet e një qeverie tiranike dhe duke lypur për të ngrënë, me dallimin që nuk do të kenë as prej kujt të lypin.

Për fat të keq, e nesërmja e zgjedhjeve në Shqipëri do të jetë edhe hyrja në spiralen e një periudhe trazirash. Që vendi të mos rrezikojë shkërmoqjen, është e domosdoshme që një projekt tjetër qeverisës të vijë në pushtet dhe të nisë shërimin e ekonomisë dhe ripërtëritjen shoqërore. Prandaj, shqiptarët kësaj here nuk duhet të gënjehen nga premtimet dhe biskotat elektorale të një formacioni politik që përveçse i ka shfrytëzuar dhe varfëruar për 8 vite, nuk heziton t’i ngulfat në borxh të papërballueshëm vetëm që të blejë me paratë e tyre zgjatjen e jetës së pushtetit të tij.

Nga ana e saj, opozita nuk duhet të mjaftohet me paraqitjen e një programi fitues përpara shqiptarëve. Është detyrë e saj të ngrejë një komunikim kapilar efektiv për t’u shpjeguar qytetarëve skenarin dinak të regjimit për t’u marrë votat dhe pasojat katastrofike që kërcënojnë vendin nëse regjimi ia del të tundojë shqiptarët e varfër me paratë e marra borxh. Ky është momenti që opozita t’u flasë shqiptarëve pa dorashka, se është më mirë t’i jepet fund regjimit me dhimbjet që e shoqërojnë vdekjen e tij sesa të nënshkruhet me të një kontratë vuajtjesh dhe trazirash që nuk u dihet fundi.