Ndarjet territoriale si mjet sundimi!

Nga Indrit Vokshi

Ndarjet territoriale dhe sistemet elektorale të përfaqësimit, shihen si mekanizma për t’i jetësuar e për t’i konkretizuar proklamatat kushtetuese, të drejtat, liritë dhe parimet, duke i bërë ato realitet për njerëzit. Përmes tyre tentohet që parimet e shkruara në letër të mos mbeten vetëm në letër. Mirëpo ndarjet territoriale dhe sistemet elektorale, mund të përdoren edhe për të kundërtën; për instalimin e diktaturës. Ato janë njëlloj si energjia bërthamore me të cilën edhe mund të prodhosh energji për njerëzit por edhe mund të prodhosh bombë për t’i shfarosur njerëzit. Në Shqipëri, si sistemi zgjedhor, si ndarja territoriale ka vite që po përdoren si bombë kundër njerëzve. Po përdoren si instrument përmes të cilit Partia Socialiste dhe diktatori saj Edi Rama, synojnë ta marrin dhe ta mbajnë pushtetin, pa votë. Me ndarjen territoriale të vitit 2015, dihet botërisht se u ndërmorr një arrnim i gardheve elektorale. Ajo nuk ishte reformë ngaqë nuk pati asnjë element të një reforme. Thjesht u ndryshuan gardhet para zgjedhjeve të vitit 2015 me qëllim që Rama të merrte më shumë bashki dhe me ato bashki të mundej të grabiste më shumë deputetë – duke përqëndruar paratë e buxhetit për pushtetin vendor tek bashkitë socialiste dhe, ne arritëm në pikën kur Shkodra merrte fonde sa Roskoveci dhe Lezha sa Divjaka. Një diskriminim dhe eksterminim i hapur e flagrant kundër komuniteteve kundërshtare të pushtetit ramist. E gjitha lidhet me buxhetin dhe me kanalizimin e parave dhe rrjedhimisht të pushtetit në terren. Nuk ka aspak barazi, asnjë princip, asnjë kriter. Buxheti i cili formohet nga taksat dhe tatimet e shqiptarëve, trajtohet si pajë e Partisë Socialiste dhe para private e Edi Ramës. Ndaj reforma territoriale rezultoi një dështim katastrofik, si në kuptimin territorial të përfaqësimit, si në kuptimin fiskal e administrativ të realizimit të funksioneve. Mirëpo askush nuk flet. As shqiptarët, as europianët mbikëqyrës. Sikur të mos mjaftonte kjo, sot është miratuar edhe një “kat shtesë” mbi gërmadhën e quajtur “reformë territoriale”. Është miratuar ndarja e Shqipërisë në katër rajone. Nëse në Francë apo kudo ku ka shtet serioz reforma të tilla marrin deri gjashtë vite kohë, duke kaluar përmes studimit dhe debatit të profesionistëve, në Shqipërinë e Rilindur Socialiste nuk zhvillohet as debat, as flasin profesionistët. Ndarja e Shqipërisë në katër rajone u miratua në fshehtësi. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh ngaqë përmes kësaj ndarjeje synohet sistemimi dhe thithja e fondeve. Dhe kur vjen fjala për thithje dhe sistemim fondesh, Edi Rama nuk ka pse lejon debat, sepse ska debat dhe, nuk ka pse merr mendimin e ekspertëve ngaqë për vjedhje fondesh është vetë ekspert. Dhe kështu Shqipëria degradon në një shtet ku reformat serioze e të rëndësishme miratohen në fshehtësi, ngaqë ato nuk synojnë realizimin dhe jetësimin e të drejtave të njerëzve por, synojnë ndërtimin e mekanizmave dhe të formulave për ta mbajtur pushtetin pa votë. Ndoshta shumë njerëz ndihen si në endërr dhe nuk e perceptojnë të afërt rrezikun por kush e kupton, këtu po ndodh e psimagjinueshmja; ndryshime kushtetuese, ndryshime territoriale, ndryshime në institucionet e drejtësisë të gjitha në shërbim të një diktature. Nuk ua ka marrë mendja, kanë menduar se nuk ndodh ngaqë janë mësuar keq me lirinë kaotike të dy dekadave e gjysëm, mirëpo diktatura po troket. Mbetet në zgjedhjen e shqiptarëve se si do t’i përgjigjjen; a do e ftojnë brenda apo do e dëbojnë..!