Ekzekutimi i dy biznesmenëve në Laç| Apeli kthen në burg Kreshnik Tushën

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të rikthejë në burg Kreshnik Tushën.

Ky i fundit u arrestua më herët në lidhje me vrasjen e dy biznesmenëve në Laç mbrëmjen e 30 majit, por më pas u la i lirë.

Kreshnik Tusha u prangos mbrëmjen e vrasjes, pasi u paraqit i plagosur në spital.

Me zbulimin e autorëve të vrasjes së Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, Tusha u la në arrest shtëpie. Fakti që ai nuk ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe nuk ka sqaruar se si është plagosur, ka bërë që apeli ta rikthejë atë në burg, në seancën e mbajtur më 5 gusht.

Rikthimi në qeli i 21-vjeçarit Tushës ndodhi pas ankimimit nga Prokuroria se ai nuk ndihmoi në zbardhjen e çështjes.

Avokati i Tushës e ka kundërshtuar këtë vendim duke thënë se prokuroria e ka kapur autorin e vrasjes së dy-fishtë dhe 21-vjeçari nuk ka arsye pse të rikthehet në qeli.

Më 8 korrik Gjykata e Kurbinit vendosi për 21-vjeçarin “arrest shtëpie”, duke vijuar hetimet në lidhje me ngjarjen. Masa e sigurisë për Tushën u ndryshua pas identifikimit dhe prangosjes së dy nga autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, Eduart Lamaj dhe Ilir Xhepës.