Shqipëria me 4 rajone| Dhurata Çupi: Ligji shkel Kushtetutën, bëhet për qëllime elektorale

Pas ndarjes territoriale të miratuar në nisje të mandatit të parë të socialistëve, duket se një tjetër ndarje do t’i bëhet territorit dhe me gjasë e votuar vetëm nga socialistët, njësoj si ajo e fundit.

E ftuar në Ditarin e mbrëmjes, ish deputetja e PD, Dhurata Çupi shprehet se opozita e sheh me shqetësim këtë propozim të mazhorancës.

Sipas saj, ligji është antikushtetuese sepse fjala rajon nuk ekziston askund në Kushtetutës. Ish deputetja shton se ai bëhet vetëm për qëllime elektorale nga ana e mazhorancës.

“Ndarja me 4 rajone, mënyra e miratimit të ligjit, procedurat e ndjekura, të bëjnë të mendosh për një ligj okult, jo transparent, i pakonsultuar me aktorët kryesorë dhe cenon Kushtetutën. Por shqiptarët janë mësuar me shkeljen e Kushtetutës pasi të gjithë ligjet e miratuar së fundmi nga kjo mazhorancë e bëjnë këtë gjë.

Sipas specialistëve të fushës ky është një ligj që cenon rëndë parimet e qeverisjes vendore dhe decentralizimin. Shuan bashkitë dhe qarqet dhe krijon 4 rajone që varen nga qeverisja qendrore. Përpos dështimit me ligjin për reformën territoriale kemi dhe këtë ligj të ri. Sipas këtij ligji qytetarët do t’i marrin shërbimet vetëm në 4 qytete kryesore”, u shpreh Çupi.