Edhe sot 6 të vdekur dhe 139 të infektuar me COVID-19

Edhe këtë të mërkurë Shqipëria regjistroi një numër të lartë të viktimave, por edhe të rasteve të reja me koronavirus.

Eugena Tomini, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë, tha për mediat se në orët e fundit kanë humbur jetën gjashtë pacientë.

Ndërsa mes 561 të testuarve, janë gjetur 139 njerëz të infektuar, numri më i lartë deri më sot në Shqipëri.

“Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 561 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ku 139 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi Covid 19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 81 raste në Tiranë, 10 në Berat, 8 në Durrës, 7 në Tropojë, 6 në Elbasan, nga 3 raste në Shkodër, Kukës, Lezhë, Kavajë, Pogradec, nga 2 raste në Korçë, Divjakë, Shijak, nga 1 rast në Lushnje, Mirditë, Tepelenë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Bulqizë. Edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, fatkeqësisht nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, një 58 vjeçar nga Durrësi, një 70 vjeçar nga Kruja, dhe një 82 vjeçare nga Shijaku. Nuk e kanë fituar betejën, një 63 vjeçar nga Kukësi, një 64 vjeçar nga Shkodra, një 69 vjeçar nga Elbasani.”

69 qytetarë të tjerë kanë mposhtur sëmundjen, duke e çuar totalin e të shëruarve në 3.123.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 21 paciente janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar.