Duaje Shqipërinë edhe kur vuan pa faj! Letra e fundit e Mitrush Kutelit per te shoqen

Duaje Shqipërinë edhe kur vuan pa faj!
_____________
Nga letra e fundit e Mitrush Kutelit per te shoqen:

”Tani e shoh vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve.
Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”.

Domosdo, 22 vjet jashtë.
Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjet pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq.
Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike.

Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë.
Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret.”