Nazarko: Potenciali i opozitës mbi 50 %, Basha të bëjë maksimumin, të fusë një fluks të ri figurash të reja në ekip

Analisti Mentor Nazarko komentoi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, tha se “Basha duhet të bëjë maksimumin, të fusë një fluks të ri figurash të reja në ekipin, që do të konkurrojnë PS në zgjedhjet e ardhshme”.

Në rubrikën “Opinion”, në News24, Nazarko u shpreh se aktualisht potenciali opozitar i shoqërisë është i lartë dhe kalon mbi 50%, ndaj dhe Basha duhet të tregohet tërheqës dhe i kujdesshëm për të fituar besimin e kësaj pjese gri.

Basha do duhet ta kapërcejë modelin e Berishës. Basha i 2004-2005 ishte një figurë tërheqëse. Figurat që kishte përballë ishin demode, ndërsa ai kishte një gjuhë perëndimore. Basha i sotëm, që ka bërë disa hapa, ka një ndryshim me shenja të modernit, nuk është i ngjashëm me COP-in e Berishës. Gjatë kësaj periudhe shoqërisë sonë i janë ofruar figura të reja dhe PD mund të kishte ofruar figura të tilla.

 Edhe integriteti apo eksperienca politike nuk është garanci për cilësi të fluksit të përzgjedhjes. Ndërkohë, Rama është përpjekur të tregojë se rezonon apo sintonizohet me këto prirje jashtëpartiake. Rama përpiqet ta rishpikë veten. Ai është përpjekur të krijojë një parti përtej të majtës dhe të djathtës, mbi to. Me listat e hapura Rama qetësoi shumë njerëz. Njerëzit që ishin pro listave të hapura po i japin të drejtë Ramës. Besoj se ai nuk do të qëndrojë këtu, do ketë surpriza të tjera, në mënyrë që të bëjë një listë fituese. Ai kërkon të qendërzohet, të jetë protagonist.

Rama ka centralizuar pushtetin në partinë e tij. Problemin e kriminalizimit të politikës nuk e shoh tek ata që në rininë e tyre kanë bërë gjëra të vogla, në emigracion. Dua të them se është një sfidë e vërtetë për opozitën që të tregojë se gjatë kësaj periudhe e ka kapërcyer ylberin, është e hapur, joshëse, thithëse. Unë nuk po shoh, madje radikalizmi në të cilin PD kërcënon se mund të rrëshkasë, mund të jetë largues. Është një betejë e vështirë kjo për opozitën, që të jetë tërheqëse për pjesën gri. Mendoj se potenciali opozitar i shoqërisë sonë është i lartë, mbi 50%, por që të jesh tërheqësh për këtë pjesë, do duhet të jeshë i kujdessshëm në përzgjedhje. Basha duhet të bëjë maksimumin, të fusë një fluks të ri figurash të reja në ekipin, që do të konkurojë PS në zgjedhjet e ardhshme”, tha azarko.