“Kurban Kushtetuta dhe Republika në tepsi”


Nga Ardit Gjinali

“30 Korriku” shënoi një shfaqje autokratike në një Parlament me legjitimitet të diskutueshëm
juridik dhe tërësisht të humbur politik . Periudha kohore 30 Qershor 2019- 30 Korrik 2020 është
treguesi më i qartë i vullnetit të vazhdueshëm negativ për instalimin e autokracisë; një vit i
vështirë kalendarik politik ku çdo tregues mbi ekonominë, lirinë, demokracinë dhe të drejtat e
njeriut po shënon një regres të thellë.
Ndryshimet kushtetuese u miratuan vetëm pak orë përparakremtimit të festës fetare të Kurban Bajramit ; njëjtë si shembja e Teatrit që u realizua gjatë muajit të madhënueshëm të Ramazanit. Padyshim, ky enturazh politik, pa ngjyrë politike që
vepron me mekanizma tërësisht apolitike meriton që të ndiqet nga shprehja “ Mos i fal Zot sepse
këta dinë çfarë bëjnë”. Vendi ynë është shembulli më mirë i një të shkuare historike jo tejet të
largët që dëshmon moskufizimin e diktaturave në ndalimin e çdo lirie njerëzore përfshirë dhe atë
të besimit, gjithashtu.
“30 Korriku” nuk është një stacion kohor i rradhës, por një gur i lëshuar përdhunshëm mbi
fytyrën e Republikës në tentativën e vazhdueshme për ta mposhtur, tjetërsuar, gllabëruar me
qëllimin e vetëm që e tilla; -Republika, të kthehet në një oaz të pandëshkueshmërisë që fillon
përmes mungesës së barazisë përpara ligjit, mungesës së institucioneve efektive kushtetuese,
mungesës së llogaridhënies; – vijon me vullnetin qytetar të deformuar dhe krimin elektoral që
sjell keqqeverisjen, klientelizmin dhe nepotizmin. Jetojmë në kohën kur po tentohet që
autokracia të konsiderohet si një zakonshmëri dhe normalitet shoqëror përmes paraqitjes së oazit
të kinse demokracisë ku mpihet dhe frenohet reagimi qytetar duke përdhosur çdo institucion.
Ndryshimet kushtetuese të miratuara njëanshmërisht me mbështetjen e së ashtuquajturës “opozitë
parlamentare” tjetërsojnë dhe humbasin solemnitetin e dokumentit themeltar të shtetit,
Kushtetutës, e cila u bë kurban i orekseve të pakufizuara politike të ansamblit “Rilindja e
babëzisë” duke e vendosur fytyrën e Republikës në tepsinë e ndryshkur nga skandalet dhe
fenomenet negative që kanë qenë bashkëshoqëruesit e një mandati politik qeverisës; mandat
qeverisës i ngjizur politikisht nga aleanca e gjerë me thuajse çdo faktor të nëntokës.
Mendësia anarkike dikton zhvillimin e një ekuacioni djallëzor ku përmban si premisa kryesore
stigmatizimin e institucioneve dhe përmbysjen e proçedurës demokratike duke jetësuar një
vizion anarkik që kamuflohet mjeshtërisht nga KryeKreu me retorikën false të shtetbërjes dhe
ligjshmërisë. “30 Korriku” është fillimi i jetësimit të mendësisë anarkike që synon relativizimin
dhe zbehjen e fuqisë institucionale dhe pozicionit hierarkik të çdo institucioni të sistemit
demokratik duke hedhur një hap negativ paraprirës drejt instalimit të autokracisë.
Ngjarjet politike të ditëve të fundit dhe arbitrariteti i pseudomazhorancës nuk mund të
shkurajojnë besimin e të gjithë faktorëve të qënësishëm politik dhe shoqëror për një aleancë të
madhe kundër regjimit të sotëm që kërkon të instalojë diktaturën e së nesërmes; aleancë që
kërkon tejkalimin e ambicieve dhe egove negative në funksion të një misioni të madh për
mbrojtjen e demokracisë dhe rikthimin e shtetit. Periudha kohore në vijim do të jetë një katalog
djallëzor i përdorimit të çdo instrumenti që do të përdoret si gjethja për të mbuluar vetminë e
madhe politike dhe elektorale të enturazhit rilindës. Llogaritjet meskine që deformojnë sistemin
demokratik nuk mund të ndalin kultivimin e një fryme të thellë revolte; e tilla që do të përmbysë
makinacionet e një qeverie me bilanc të zi dhe faqe aspak të bardhë.