Kuvendi miraton me 106 vota pro ndryshimet Kushtetuese. Rama drejt diktaturës

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me 106 vota pro dhe 10 kunder, ndryshimet kushtetuese për të prekur rregullat e garës në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa 6 deputetë nuk kanë votuar pasi nuk ishin në sallë.

Amendimi i nenit 64 dhe 68 të Kushtetutës krijon mundësinë e hapjes së listave, heq nga Kushtetuta koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, si dhe vendos prag kombëtar. Por si arritëm në këtë pikë?!

28 DEPUTETËT

Pa arritjes së marrëveshjes së 5 qershorit me praninë edhe të ambasadorëve kryesorë në Shqipëri për amendimin e Kodit Zgjedhor, në Parlament në ditët në vijim nisën lëvizjet kërcënuese se nuk do të votonin ndryshimet e miratuara në Këshillin Politik pa plotësuar kërkesat e tyre. Në fillim ishin 39 deputetë të opozitës në Parlament që kërkonin lista të hapura.

Pas insistimit, ata mundësuan një takim me Kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi dhe ky i fundit u kërkoi që çdo kërkesë ta paraqesin sipas procedurave parlamentare. Më pas një grup prej 29 deputetësh, me në krye Myslim Murrizin, depozituan në Parlament një draft i cili propozonte riformulimin e nenit 64 dhe 68 të Kushtetutës bashkë me relacionin përkatës.

Ajo që ra në sy në fillim, pavarësisht se kishin firmosur draftin, Myslim Murrizi pohonte se ai si përfaqësues kishte kërkuar vetëm hapjen e listës dhe nuk kishte kërkuar heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut kombëtar.

Dy pikat e fundit konfuzuan opozitën e Parlamentit, saqë disa prej tyre të tërhiqnin firmat. Por pas kësaj lëvizjeje për të plotësuar numrin e 28 deputetëve (aq sa duhet për të propozuar ndryshime kushtetuese) listës së firmave iu bashkua deputetja Elena Xhina dhe Reme Lala. Të dyja deputete të ardhura nga listat e PDIU-së dhe në të njëjtën linjë votimi të ligjeve në Parlament me maxhorancën.