Ironia e fatit bën spektakël në këtë vend dhe historia ka një sens humori te shfrenuar

Nga Sonila Meço

Organi më i madh ndërkombëtar i sigurisë në botë, OSBE ka hyrë në krizë të thellë pas largimit të ekipit drejtues prej sulmeve, akuzave dhe pozicioneve të forta të vendeve anëtare. Kjo gjë ka ngjallur frikën se vakuumi i lidershipit mund të pengojë punën thelbësore në zonat e nxehta të konflikteve dhe të jetë një paralajmërim i fortë për BE-në se bashkëpunimi shumëpalësh po pëson goditje të rënda.

Organizata është e paralizuar, në kërkim të dëshpëruar të një fryme drejtuese me një axhendë të qartë zgjidhjeje. Për të kuptuar pse është e rëndësishme, që zgjidhja të gjendet sa më shpejt në presidencën aktuale, le të sjellim në vëmendje se për çfarë kujdeset kjo organizatë:

Mandati i OSBE-së përfshin parandalimin e konflikteve dhe menaxhimin e krizave, si dhe mbështetjen e standardeve demokratike dhe të drejtave të njeriut. Misionet e saj veprojnë si sytë dhe veshët e komunitetit ndërkombëtar në zona të nxehta problemesh, siç janë Ukraina lindore, enklava konfliktuale e Nagorno-Karabakut dhe shteti i shpërbërë i Transnistrisë. Misionet e OSBE-së përfshijnë monitorimin e konflikteve, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe projekteve më të gjera në rajonin midis Evropës dhe Azisë. Organizata është i vetmi trup sigurie, qyshse nga viti 1975, që përshin brenda saj vendet perëndimore dhe Rusinë.

Ironia e fatit nis këtu…
Financial Times në një artikull plot shqetësim e alarm nënvizon se: “OSBE-ja ka vendosur një udhëheqje të përkohshme në funksionimin e saj dhe organizata mbikqyret nga një drejtim rrotullues përmidis 57 anëtarëve, aktualisht Shqipëria. Tani i bie Tiranës për të zgjidhur krizën me ministrat e jashtëm të OSBE-së në takimin, që zhvillohet në kryeqytetin shqiptar në dhjetor. Gent Cakaj, ministri në detyrë i jashtëm i Shqipërisë, u shpreh se bllokimi ishte një shenjë e vuajtjes prej multilateralizmit, por mbrojti procesin e vendimmarrjes së OSBE-së, e cila mbështetet në konsensus dhe jo me shumicë votash. Rregulli i konsensusit që ka udhëhequr punën e OSBE-së që nga fillimi u jep forcë vendimeve të tij.
Ndërkohë Sekretariati i OSBE-së nuk pranoi të komentojë”

Fjalimin e sotëm në kuvendin shqiptar, të kryeministrit njëherazi president i radhës së OSBE-së, që po vuan krizën më të rëndë, që nga krijimi prej mungesës së konsensusit besoj e lexojnë të përkthyer të gjitha vendet anëtare. Ju ftoj ta dëgjoni, pasi ta keni lexuar këtë status e të kuptoni se çfarë sensi humori ka historia e ç’ironi fati prodhon kjo qeverisje. E mbi të gjitha, se si do ta përftojë organizata votimin e njëanshëm, të një kuvendi jo kushtetues, në mungesë Gjykate Kushtetuese, në injorim të kërkesave ndërkombëtare për konsensus, në ndryshim të rregullave zgjedhore më pak se një vit larg zgjedhjeve në vendin, që ka presidencën e saj të radhës në ditët e veta më të errëta.

Skeptikëve të OSBE-së e BE-së, sot u është ofruar në pjatë argument tejet bindës.