Silvana Begaj – Unë sot them: Boll!

Nga Silvana Begaj

Nuk e di se cilët janë më të këqinjtë: Ata që kryejnë një krim apo ata që e raportojnë në mënyrë të paskrupullt, pra duke shkelur kodin etik të raportuesit.

Unë sot them: Boll! Rrethohem nga majtas dreqër e djathtas djaj. Shqipëria është kaq e vogël, por prapë ka majtas dreqër e djathtas djaj.

Unë sot them: Boll!

Me këtë etikë të munguar gazetareske lajmet janë “hajde në shesh të burrave të flasim, përqeshim, gjykojmë, qeshim e qajmë për fatkeqësinë tënde; të të turpërojmë botërisht”.

Ah! Unë e di! Ju, disa media, sot keni në dorë ngjarjen e bujshme të ditës. Shfrytëzojeni, shtrydheni pa mëshirë e pa skrupuj dramën e të zhgënjyerit, dramën e fatkeqit, dramën e vrasësit, dramën e të vrarit…

Ata nga ekranet… po ata nga ekranet do ndjejnë faqen e pasme të gëzimit se kjo nuk u ka ndodhur atyre apo njerëzve të tyre të afërt. S’ka gjë. Aq zgjat çudia. Ata jashtë ekranit kthehen në rutinën e tyre, media do gjejë ngjarjen tjetër të kobshme, kurse ti… ti do gjykohesh gjithë jetën njësoj si keqbërësi yt.

Boll më!

Boll e bëtë viktimën dy herë viktimë. Boll e folët, e përfolët, e mëshiruat, e kryqëzuat, e pastaj e harruat publikisht… por vetëm në media. Jo në fis, jo në lagje, jo në të njohur kur do ta tregojnë me gisht duke e fajësuar.

Boll më. Askush nuk pyet pse. Ti je figura, ti je subjekti, ti je personi i sinjifikuar, por ti… askush nuk flet për ty ashtu si je ti… ti mund të dashurosh pikturën, muzikën, historinë, artin, letërsinë… me vjen keq i dashur!

Bota ikën shpejt. Mbi të gjitha në kapitalizëm. Ne kapitalizëm blihen shpirtëra. Nuk ka kohë. Askush nuk ka kohë të kuptoj se ti je frymore, ke ndjenja, skrupuj, sedër, karakter, personalitet, ëndërra. Ah, ti, unë dhe kushdo pa e ditur rrethohemi nga djaj dhe dreqër. Prandaj duhet të vrasim o djajtë, o dreqërit që të jetojmë.