Reforma zgjedhore| Maliqi: Votoj pro nëse ka marrëveshje maxhorancë-opozitë e bashkuar

Deputeti i opozitës parlamentare, Lefter Maliqi, do të votojë pro marrëveshjes opozitë-maxhorancë për reformën zgjedhore, nëse ka një të tillë. Në një intervistë në TvT me Nertil Agalliun, në emisionin “Në fokus”, Maliqi tha se do të votojë për një marrëveshje të tillë që arrihet me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve.

Unë e kam thënë që mbetem për sistem me lista të hapura, madje edhe për maxhoritar të hapur. Por gjithsesi më vjen keq që partitë e mëdha nuk kërkojnë ndryshim sistemi. Ka krizë mosbesimi te elektorati në bazë. Por nëse ka një marrëveshje politike mes opozitës dhe maxhorancës, nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar, do të votoj këtë marrëveshje”, tha ai.

Në këtë mënyrë, Maliqi distancohet nga ajo që është cilësuar si opozita e re, e cila kërkon ndryshim të sistemit. Këtë distancim, ai e ripërsëriti edhe gjatë intervistës, duke theksuar se nuk përfaqëson opozitën e re, të cilën e etiketoi si një trupë humoristike në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Unë nuk përfaqësoj opozitën e re. Mbështes opozitën që ka dalë nga Parlamenti. Ky i fundit është kthyer në një shou që po i shërben interesave të një klani të vogël oligarkësh rreth kryeministrit Rama”, tha ai.

Maliqi theksoi se nuk do të votojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, nëse ato bëhen pa dakordësinë e opozitës.

Në të kundërt, nëse do të përdorin forcën e kartonave të këtij parlamenti të kapur për të votuar ndryshime në Kodin Zgjedhor pa negociata, do të jem kundër”, tha ai.