Një platformë opozite, tritol kullave të krimit e koncensioneve, pranga përfituesve

Nga Basir Çollaku

Ky vend kërkon domosdoshmërisht me emergjencë drejtësi. Konkretisht…Ndryshimi në Shqipëri nuk vjen nëse nuk ka të arrestuar e më pas të dënuar me burg të pushtetarëve e politikanëve abuzues, pavarësisht logos partiake. Të tjerat janë bashkëfajësi e premtuesve për dhënie të drejtësisë. Për të ndodhur kjo, nuk janë të nevojshme aspak akrobacitë teknike a ligjore me emrin reformë, as arnime strukturash të reja me njerëz të pandryshueshëm.

Drejtësia kërkon njerëz me vullnet tjetër. Ndryshe nga deri më sot. Të pavarur nga e shkuara, të pakapur nga vetvetja e puna e bërë. Tërësisht ndryshe nga këto 30 vite harmonike në kujdes të ndërsjelltë, ku ndëshkueshmëria ka qenë thjesht një foltore kuvendi zëlartë, shpesh konferencë partiake, me zgjatime mediatike.

Tirana nuk ekziston më si një qytet normal. Jetojmë në një fjetore të madhe betoni. Kreu i opozitës Lulzim Basha dhe aleatët e tij, duhet të jenë të prerë. Të deklarojnë përditë përballjen me Qeverinë, Bashkinë e Tiranës, e ato të rretheve.

Nisim me Tiranën.

Shembja e Teatrit Kombëtar, ishte prova e forcës, ishin lëkundjet sizmike të cilat kapërcyen kufirin, mbërritën kudo në Evropë duke sjellë një reagim nervoz ndaj Edi Ramës.

Basha duhet të përsërisë drejtpërdrejtë mesazhe të cilat edhe i ka artikuluar. Kushdoqoftë investitori, apo sipërmarrësit lakmishumë, që kërkon të ndërtojë kulla në sheshin e Teatrit, duhet të ketë premtimin e opozitës së sotme se:

Kullat do të shemben dhe do të ndiqen penalisht përgjegjësit. Abuzuesitdo të shkojnë në qeli, duke nisur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, te këshilltarët bashkiakë, marrës të vendimit, te ekspertët teknikë firmëtarë, pa parë apo inspektuar asgjë në terren, ndonëse të gjithë këta emra, duhet të ishin marrë të pandehur.

Edi Rama duhet të merret domsodoshmërisht në ndjekje penale, edhe për këtë histori.

Kullat shumëkatëshe rrethuese të Sheshit “Skënderbej” apo në vende të tjera, ku pronat janë grabiture manipuluar pronarët, gjoja për qëllime publike, e më pas na kanë dalë kulla Publike 30 e më tepër katëshe, me para droge e aksioner politikanë, duhen shembur. Ata duhen dërguar në burg si shpërdorues dhe abuzues. Kush ndërton pas 15-katëshit një tjetër 36 katësh, thuajse në rrugën kryesore? A ka interesa në të Edi Rama? Po njerëzit e tij, a kanë pjesë në këtë investim? Po pronarët e gënjyer, çfarë do të bëhet me ta? Si fillim të përpiqen mos nguten investitorët, mos pastrojnë paratë e krimit të organizuar. Nëse ata nuk duan t’ia dinë, Opozita duhet t’u thotë se do ta shembë e do zbardhë skemën e pastrimit, e do dërgojë në qeli investues e lejues pushteti. T’i njoftojë PD, Basha, Opozita edhe Bankat, që të mos bëhen pjesë e investimeve të dyshimta, sepse janë duke hedhur paratë në një adresë kriminale, e cila do të ndëshkohet me emergjencë me ardhjen në pushtet të alternativës së tyre.

Tritoli në raste të tilla bashkë me burgun, janë mjetet demokratike në respekt të ligjit. Njëlloj duhet thënë e vepruar pa asnjë negociatë pezullimi i koncensioneve korruptive, ndëshkimi i dhënësve dhe përfituesve të paligjshëm, dërgimi në qeli i atyre që janë bërë plaçkitës me veprimet e mosveprimet e tyre. Duhet të marrin dijeni prokurorë e gjyqtarë, drejtues policie, zyrtarë të përfshirë, se do të kenë një takim me qelinë e burgut, nëse vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj masakre të ligjit dhe së drejtës. Çdo grabitës prone në bregdet e në çdo qytet e cep të vendit, duhet të shkojë ne qeli, e prona t’i konfiskohet për t’iu kthyer pronarëve të vërtetë. Ky duhet të jetë premtim i përditshëm i opozitës. Kontrata e re e besimit me shqiptarët, kërkon veprime të reja radikale, për të rikthyer sundimin e ligjit, e ndëshkuar shkelësit e deritanishëm. Shikoni Vlorën! Ikin drejtorët e Kadastrës nga një në javë. Askush nuk po mundet të kapërcejë katrahurën që gatuan Edi Rama aty. Po përse qëndron ende në detyrë Artan Lame, kur skandalet e vartësve të tij nuk kanë të ndaluar? Kush janë përfituesit e mëdhenj në këtë qark bregdeti?! Po në Durrës e Lezhë? Opozita le t’a draftojë listën me objekte dhe subjekte, të cilët do të ndëshkohen dhe t’a lexojnë e dëgjojnë shqiptarët çdo ditë, për t’a mundësuar të nesërmen. Çdo ditë. Qytetarët munden të shtojnë emra të tjerë shtetarësh, pushtetarësh, politikanësh në këtë listë, me fakte e argumente konkrete, për t’i bërë pjesë të ndëshkimit. Kjo listë duhet të jetë nisja e kthimit të sundimit të ligjit. Kështu ata bëhen firmëtarë të një ndryshimi. Në të kundërt, po ecim unazës, derisa të mbarojë karburanti i mjetit të udhëtimit.