Bardhi: 40 qytetarë që janë në burg, pa asnjë provë. Padi Lleshajt

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka qenë sot në Prokurori ku ka dhënë shpjegime për padinë e bërë ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe policisë për dhunë ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestë.

Bardhi e quajti ministrin Lleshaj, mbetje e komunizmit dhe tha se sot ka çuar në prokurori prova e fakte për dhunën e bërë ndaj qytetarëve. Po kështu ai i bëri thirrje gjyqtarëve e prokurorëve të mos i shërbejnë qeverisë pasi pasi qytetarët nuk kanë për të falur.“Isha sot në prokurori i thirrur nga organi i prokurorisë për të dhënë sqarime për akuzën e PD ndaj ministrit të brendshëm dhe drejtuesve të policisë për akte dhune ndaj qytetarëve. Kam dhënë prova e fakte për veprimet e kundraligjshme të punonjësve të policisë të cilët me urdhër politik kanë sulmuar qytetarët duke i penguar në të drejtën e tyre të protestës. Prokuroria e ka pasur detyrë të niste hetimet kryesisht por fakti që nuk ka ndodhur ka detyruar PD të bëjë padi. I bëj thirrje prokurorisë të mos bëhet shtojcë e pushtetit. Nuk është një organ i varur nga ministri i brendshëm. Sot ka 40 qytetarë që janë në burg, pa asnjë provë sepse kanë ushtruar të drejtën e tyre të protestës.
Ministri i Brendshëm e konsideron protestën të jashtëzakonshme, ndërsa grabitje në Rinas një incident. Apeli im është për gjyqtarët e prokurorët, nuk kanë për të kaluar vettingun duke i shërbyer në mënyrë kriminale qeverisë. Qytetarët nuk kanë për të falur. Fundi i gjyqtarëve e prokurorëve që i shërbejnë qeverisë kriminale do jetë i njëjtë me atë të qeverisë.
Ministri i brendshëm është mbetje e kohës së komunizmit. Koha kur protesta trajtohej si puç kushtetues ka përfunduar 30 vite më parë. Nuk ka e s’do ketë asnjë ministër të brendshëm, prokuror apo gjyqtar të tremb qytetarët për të drejtën e tyre. Të protestosh është një e drejtë legjitime. Vetëm për një mbetje të komunizmit protesta është puç kushtetues”, deklaroi Bardhi.