Sa nuk është vonë!

Nga Marlin Muça

Drejtuar akademikëve, pedagogëve dhe intelektualeve shqiptarë

Ngjarjet e fundit në Universitetin Bujqësor të Tiranës si dhe pezullimi i Rektorit Koni nga detyra, duhet ta vërë shoqërinë shqiptare e sidomos Ju, si shtresa më përparimtare e saj, në një moment të thellë reflektimi në lidhje me situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend. Shantazhi ndaj Rektorit të këtij Universiteti e pezullimi i Rektorit të një Universiteti tjetër përbën aktin e parë të luftës së ndërmarrë nga pushteti ndaj shtresës tuaj me qëllim kapjen përfundimtare të Inteligjencës shqiptare. Kjo luftë pritej. Dështimi i protestës studentore i la rruge të hapur Kryeministrit dhe shërbëtorëve të tij të nisnin planin revanshist në shtypjen e asaj shtrese qe përben rrezikun kryesor për diktaturën. Diktatura është një strukturë e atillë që nuk pranon kurrsesi forca paralele. Ndaj dhe ajo sulmon patriotizmin, fenë e në fund dijen profane për të patur kontroll absolut mbi shpirtin, mendjen e zemrën e njeriut.
Të nderuar pedagogë!
Mefshtësia juaj ndaj protestës studentore përvijoi fatin e zi mbi protestën, studentët e mbi vetë ju.Ju hezituat të na bashkoheshit pasi donit të ruanit edhe atë pak cfare ju kishte mbetur. Ajo pak gje qe ju kishte mbetur u kthye ne hic sapo qeveria perdori ngurrimin tuaj per t`i lënë studentet vetem me percarjet dhe pasiguritë e tyre. Gabimi juaj qe historik! Nje pushtet i cili qe i aftë të akaparonte një masë të atillë studentësh prej 30000 vetash, individe jashtë sistemit, pa familje për të mbajtur, të papunësuar në shtet, pa kurrfarë obligimi që i lidhte në një mënyrë ose në një tjeter me pushtetin, cfare mendonit se do të bënte pasi të mbaronte pune me Ne? Natyrisht qe do të fillonte luftën ndaj jush. Faktikisht bota akademike ka qënë gjithnjë nën presionin e kesaj qeverie vitet e fundit. Takimet me kryeministrin përfundonin në cirqe mediatike ku një njeri pa kurrfare formimi akademik trajtonte si rrugacë ordinerë njerëz që vetëm me titujt e fituar jashtë vendit tejkalonin moshën e atij që aq paturpësisht tallte dhe nëpërkëmbente intelektualët e këtij vendi. E si mund të përballojë një trupë akademikësh si Ju, e shpërndarë, pa asnje organizim sindikal apo shoqatë në mbrojtje të të drejtave, një forcë të tillë denigruese të aftë për lloj soj makinacionesh të shëmtuar në dobi të ekzistencës së vet politike?
Natyrisht që rezistenca e shpërndarë ndër zëra sporadikë sa në një fakultet e në tjetrin nuk ndihmon në ndërtimin e një oponence të fortë intelektuale ndaj një qeverie revanshiste. Kjo pamundësi fatale ju ka ngërthyer Ju në brendinë e një carku historik, një carku te ngjashëm me atë të para 70 viteve.
Miopia juaj politike sot ngjason së tepërmi me atë të intelektualëve dhe familjeve të mëdha nacionaliste të viteve 40-50. Ata dështuan së kuptuari misionin historik të kohës që po jetonin dhe i lanë terren forcave komuniste të përdornin varfërinë e pjesës dërrmuese të popullisë së asaj kohe si armë ndaj fisnikëve dhe nacionalistëve që përbënin ajkën intelektuale të kohës. Ata ngurruan të formonin njjë pol mirëfilli të djathtë në atë kohë e për rrjedhojë ju nështruan shtypjes dhe persekutimit që do të zgjaste edhe për dyzet vite të tjera.
Natyrisht që gjërat kanë ndryshuar dhe mjetet politike nuk janë të njëjta me ato të para gjysëm shekulli. Fundi i shekullit të kaluar gjeti fituese demokracitë liberale dhe diktatura komuniste u shemb në gjithe Europen Lindore së bashku me metodat e veta atavike.
Sot pushteti përdor të tjera mjete për të vënë nën kontroll e më pas shkërmoqur grupet e interesit me potencial të theksuar opozitar. Kërcënimit që i vjen sot pedagogëve dhe gjithe botës akademike nuk është më i një natyre për jetë a vdekje por një presion i pastër mbi ekonominë, dinjitetin dhe integritetin profesional të secilit prej jush. Sot nuk të vrasin por ta bëjnë jetën aq të padurueshme saqë zgjedhjet që të mbeten janë ose të ikësh nga ky vend, ose të bëhesh pjesë e llumit që mbyt vendin. Ama qëllimi fundor i kapjes së profesoratit ka një natyrë akoma dhe më shumë djallëzore. Me skartimin e pedagogëve që nuk bien në kompromis me pushtetin do të mbesin vetëm ata që kanë interesa të ngushta të lidhura me të. Emërimi i tyre nga Ministria e Arsimit i vendos dhe akademikët e rinj nën presionin e ekzekutivit lidhur me veprimtarime brenda dhe jashte rrethit akademik.Të paturit në dorë profesoratin e ndihmon pushtetin të formësojë siaps dëshirës dhe ideologjisë së saj sunduese brezat e rinj të studentëve, ndërgjegjja dhe qëndrimet e të cilëve janë nën ndryshimin e vazhdueshëm të atyre që japin dije.
Zgjidhja e vetmja që ka mbetur është bashkimi. Bashkimi përtej bindjeve politike, interesave apo edhe xhelozisë akademike. Por që të ndodhe bashkimi, duhet kuptuar rreziku, i cili i kanoset të gjithëve, pa dallime politike apo formimi profesional. Duhet kuptuar se nuk ka mbetur më gjë për të ruajtur. Indiferenca ndaj kauzës studentore ju kushtoi imunitetin ndaj pushtetit që akoma nuk po gjente pretekstin për t`iu sulmuar Ju. Verbëria ndaj situatës së rëndë ku ndodheni SOT mund t`iu rrezikojë dinjitetin, karrierën, pse jo dhe lirinë fizike.
Sa nuk është vonë!