Posse Comitatus, rendi kushtetues dhe kontrolli demokratik i forcës së armatosur

Nga Gjorg Kodra/

Njëra ndër shakatë më të përdorura gjatë rënies së perandorisë habsburge ishte se “në Gjermani situata është serioze, por jo e dëshpëruar; në Austri, situata është e dëshpëruar, por jo serioze” – por shpejt historia e shndërroi situatën në tejet serioze edhe aty ku fillimisht, përtej çdo ndjenje dëshpërimi, ajo nuk njihej si e tillë[1].

Dislokimi i forcave ushtarake në aeroportin e një vendi si i yni, ku vlera e ushtrisë nuk merret seriozisht, ku njësitë e xhenjos përdoren për të pastruar plazhet dhe rrugët, dhe kur ministrat e mbrojtjes funksionojnë kryesisht si zëdhënës të operacioneve të marrëdhënieve me publikun, shkaktoi shaka të ngjashme, që rievokonin situata të dëshpëruara, por joserioze.

Nxjerrja në aeroport e ushtrisë, pavarësisht forcës ushtarake të vendit që e përdor, është kudo tregues i një gjendjeje të jashtëzakonshme – në fjalët e Carl Shmitt, ai që kontrollon gjendjen e jashtëzakonshme, kontrollon pushtetin. Gjithësesi, në Shqipëri bëhet fjalë, sa për një gjendje PR-i në krizë të një qeverie që qeveris nëpërmjet marrëdhënieve me publikun, aq edhe për një krizë reale të rendit në Shqipëri – rendit publik, po aq sa dhe atij kushtetues. Por në një vend të detyruar me forcë të jetë qesharak, jo shumë njerëz e morën seriozisht këtë situatë.

Në latinisht, togfjalëshi “Posse Comitatus” vjen nga fjalët “posse, potesse”- të mundësh/të bësh, latinishte mesjetare- forcë/fuqi, “comitatus”- bashkim/komunitet. Posse Comitatus ose forca e bashkimit është një institut ligjor në vendet e ligjit zakonor anglosakson.

Ky institut i rendit publik u zhvillua në SHBA gjatë shekullit të 19. Posse Comitatus i jepte të drejtë sherifit të mblidhte nën armë burra në zonën ku ky përgjigjej për rend e siguri. Kjo bëhej për të përforcuar forcat e rendit, në funksion të kapjes së të arratisurve, banditëve dhe krimineleve të rrezikshem. Posse comitatus justifikohej nga mungesa e personelit ligjzbatues në shumicën e konteve (komunave) amerikane të pas revolucionit.

Në 1878 Posse Comitatus u rregullua me ligj federal nëpërmjet atij që sot në SHBA njihet si Posse Comitatus Act. Ligji ndaloi kategorikisht përdorimin e Forcave të Armatosura amerikane (këmbësori, marinë dhe me amendimet e 1956-ës dhe forcat ajrore) në detyra civile ligjzbatimi. Ushtarakët në detyrë apo rezervistët nuk mund te angazhohen nga autoritetet lokale në detyra policore brenda territorit të shtetit. Forcat e Armatosura amerikane mund të urdhërohen të dalin nga kazermat ushtarake për rivendosje të rendit kushtetues, sigurisë publike dhe mbështetje me armatim e teknologji te forcave të sigurisë vetëm me autorizim të Kongresit amerikan.

Ndalimi me ligj i përdorimit, pa miratim të Kongresit, të Forcave të Armatosura në mbrojtjen e rendit publik, erdhi si domosdoshmëri për ruajtjen e autoritetit politik civil në SHBA, pasi gjatë viteve të para pas Luftës Civile Amerikane, disa governatore republikanë në shtetet e jugut, e ushtronin autoritetin politik në mungesë të mbështetjes së shumicës elektorale. Prania e ushtrisë së Veriut në shtetet e Jugut, e ngarkuar me detyra ”Posse Comitatus” për rivendosjen e rendit kushtetues pamundësonte zhvillimin e proçeseve normale demokratike. Kjo vinte si pasojë e përplasjes së dy autoriteteve, atij civil politik dhe atij ushtarak. Guvernatorët republikanë menaxhonin pushtetin me forcën e armeve, ndërsa shumica e pupullsisë, civile në mungesë të ushtrisë, do të votonte për kandidatët kundërshtarë. Kontrolli demokratik mbi forcat e armatosura dhe angazhimi i tyre vetëm me miratim të organit ligjvënës është padiskutim përforcim i traditës dhe kulturës anti-militariste amerikane.

Përplasja e pushtetit politik me atë ushtarak dhe shpeshherë përmbysja e pushtetit politik nëpërmjet forcës së armëve (mjaft të përmendim puçet ushtarake klasike, si ai vitit 49 p.e.r- kalimi i Rubikonit nga Legjioni i 17-të i Jul Çesarit, ai i vitit 1802- i kryer nga Bonaparti, ai i vitit 1922- i kryer nga Musolini etj,) si dhe përdorimi i forcës ushtarake nga pushteti politik për shtypjen e opozitave dhe vendosjen e diktaturave, ka detyruar shumë vende perëndimore të ngrenë mekanizma kushtetues për kontrollin demokratik të forcës ushtarake.

Themelet e mekanizmave kushtetues për kontrollin e FA i gjejmë dhe tek Raporti nr. 386/ 2008 i Komisionit të Venecias.

Në kapitullin mbi rolin e ushtrisë brenda territorit të shtetit, komisioni shprehet qartë se kriteret kryesore mbi bazen e të cilëve mund të angazhohen forcat e armatosura në detyra të brendshme civile janë, a) proporcionaliteti i angazhimit me rrezikun e hasur dhe b) sekondariteti në marrëdhenie me forcën civile ligjzbatuese. Megjithatë komisioni shton se angazhimi i FA në detyra civile duhet të bëhet detyrimisht nëpërmjet shpalljes paraprake të gjendjes së jashtëzakonshme.

Vetëm kështu, vazhdon opinioni i komisionit, mund të përcaktojmë territorin dhe kohën, ku dhe kur forcat e armatosura mund të dislokohen në hapsirën kombëtare.

Në fund të kapitullit komisioni shpreh qëndrimin se, në mënyrë që kontrolli demokratik mbi FA të jetë efektiv dhe rezultativ, në krye të këtij procesi duhet të vendoset Parlamenti, i cili është pushteti në themel të çdo demokracie dhe parandaluesin e rendeve autokratike.

Eshtë e qartë se vende me të shkuar autoritariste si Franca, Spanja, Gjermania, Italia, Greqia dhe Shqipëria mund të kenë tendenca kontrolli kushtetues më të rreptë ndaj Forcave të Armatosura.

Rasti i Gjermanisë është më i veçanti ndër të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës. Forcat e armatosura gjermane e kanë të ndaluar në çdo rast, përvec gjendjes së luftës, të dalin nga kazermat. Madje as gjatë sulmeve terroriste ushtria gjermane nuk mund të dalë në ndihmë të forcave policore.

Ky ndalim i rreptë i përdorimit të forcës ushtarake në detyra ligjzbatuese jo pak herë i ka sjellë kosto shtetit gjerman (kujtojme sulmet terroriste gjatë olimpiadës së Mynihut në vitin 1972 ku forcat speciale policore nuk qenë në gjendje të ndalojnë sulmin që la të vdekur një dyzinë sportistësh izraelitë).

Megjithatë, e shkuara totalitare gjermane, e ndrydhur brenda suazave të një një shteti plotësisht të militarizuar, ka detyruar baballarët e kushtetutës gjermane të pas luftës të mbajnë të mbylluar ushtrinë me cdo kusht.

Kushtetuta dhe kuadri ligjor i Shqipërisë nuk është aq i ngurtë sa ai gjerman përsa i përket angazhimit të FA në detyra civile brenda territorit të Republikës. Kjo do të thotë se nuk ekziston një ndalim absolut për përdorimin e tyre, por megjithatë formalisht Shqipëria respekton parimet e kontrollit demokratik mbi forcat e armatosura, me në krye të piramidës institucionin e Parlamentin, ashtu siç rekomandon Komisioni i Venacias. Kushtetuta detyron Këshillin e Ministrave t’i drejtohet Parlamentit me kërkesë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme të plotë ose të pjesshme, njëlloj si Posse Comitatus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përcaktuar saktësisht dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të forcës ushtarake në këto detyra civile.

Dislokimi i trupave ushtarake në territor në kundërshtim me këto parime është, përveçse qartazi antikushtetues, kundër cdo parimi ndërkombëtar, larg frymës demokratike perëndimore, por dhe një shenjë e qartë e nevojës së pushtetit politik civil për tu militarizuar.

Militarizimi i pushteteve politike është faza finale e instalimit te diktaturave dhe ndodh atëherë kur pushteti humbet mbeshtetjen civile, pra votën popullore, dhe për të ruajtur pushtetin, konsensusin popullor e zëvendëson me forcën e çizmes.

[1] James Kurth, The Tragic Death of the Habsburg Empire (2007)