Përse ushtria nuk mund ta zëvëndësojë policinë

Nga Pëllumb Nako/

Përdorimi i ushtrisë në kohë paqeje dhe në ambiente urbane ku ka lëvizje të madhe njerëzish dhe mjetesh, dihet që parashikohet me ligj. Por edhe ligji nga ana e tij merr parasysh realitete konkrete të mbështetura qartë mbi doktrina folozofike në përputhje me shtetin e së drejtës.
Doktrinat perëndimore e ndajnë qartë ndryshimin që qëndron ndërmjet punonjësit të policisë dhe ushtarakut të ushtrisë, të paktën ne tri drejtime themelore: Misioni për të cilin përdoren, raportet me përdorimin e forcës dhe raportet në përdorimin e armëve.
Nga polici tek ushtaraku, të tre këta elemente zhvillohen në botë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra.
Në misionin policor, kundërshtari nuk është armik dhe jeta e tij, së bashku me pasurinë duhen mbrojtur dhe jo shkatërruar. Në misionin ushtarak kundërshtari duhet asgjesuar dhe po ashtu mjetet logjistike të tij duhen shkatërruar. Ky mision është thuajse i njëjtë edhe kur ushtria përdoret në rastet e konflikteve ushtarake të brendshme si psh në Afganistan.
Në përballjen e tij me kundravajtësit ligjorë, punonjësi i policisë duhet ta përdorë forcën në mënyrë proporcionale me kërcënimin. Proporcionaliteti nuk egziston si nocion në ushtri.
Punonjësi i policisë është i përgatitur ta përballojë presionin dhe dhunën publike, ushtaraku nuk e njeh këtë rrethanë.
Përdorimin e armës, punonjësi i policisë e ka si mjet të fundit. Ushtaraku e ka të parin dhe të fundit
Përdorimin e armës policia e ka vetëm për vetëmbrotje ose në mbrojtje të qytetarit. Ushtaraku e përdor njëlloj edhe kur nuk është në kushtet e vetëmbrojtjes dhe as në mbrojtje të jetës së një qytetari.
Arma që përdor polici është e tillë që të mos shkatojë viktima të pafajshme. Ushtaraku i njeh dhe i parashikon “ dëmet anësore” në realizimin e objektivit.
Pra kemi të bëjmë me dy profile shprehish të formuara në dy realitete radikalisht të ndryshme që nuk mund të zëvëndësojnë njëra tjetrën pa u shoqëruar me një trajnim, pra në rastet e kur në kohë paqeje ndihet nevojë për përdorimin e ushtrisë.