Në kërkim…

Astrit Lulushi

Çfarë dimë nuk na kënaq, çfarë kemi nuk na mjafton. Duke menduar kështu, jemi gjithnjë në konflikt me të tjerët që mendojnë po njësoj.
Njerëzimi nuk ka histori, të paktën nuk ka histori të gjatë të dokumentuar. Historia që dimë është e ngritur mbi baza të panjohura, dhe kjo është arësyeja që me ‘të është mësuar të spekullohet. Historia shkruhet nga fitimtari, ka thënë dikush. Por nuk ka fitimtar të përherëshëm, prandaj historia rishkruhet sa herë fitimtarët ndërrohen.
Fitimtarët nuk janë njësoj, ata gjasojnë vetëm nga emri, sepse fitimtari mund të jetë i mirë ose i keq. Kur fitimtari është i mirë, historia shkruhet, me sa më pak gënjështra që të jetë e mundur; historianët e zgjedhin gënjeshtrën si alternativën e fundit. Kur fitimtari është i keq, gjithë lavdia i përket atij, histori më nuk ka, ka vetëm proces-verbale, vendime, dekrete, lartësim të sunduesit me tregime e përralla, sepse historianët kanë vetëm një alternativë; të shkruajnë gënjeshtrat që i citojnë a diktohen. Njerëzit e mirë gjithmonë kanë qenë pakicë dhe të këqinjtë të shumtë si kokrrat e rërës – mes fitimtarëve po ashtu – prandaj historia mbetet temë shumë e ngatërruar, sepse qëndron mbi themele të mbështetura asgjëkundi.