Gerarta Ballo, një zë i komunitetit shqiptar në Itali, kandidate në Parlamentin Europian

Nga Albania News

Fushata për zgjedhjet europiane tashmë është zyrtarizuar në vendin ku kemi zgjedhur të jetojmë, Itali. Këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse lidhen drejtëpërdrejtë me të ardhmen e Europës siç e njohim dhe për rrjedhojë edhe të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Kolegji zgjedhor i Italisë së Jugut, ku bëjnë pjesë 6 rajone (Abruzzo, Calabria, Campania, Molise dhe Puglia) me pothuajse 14 milionë banorë ka ndër emrat në listë atë të një Italo-shqiptareje: Gerarta Ballo. Ajo kandidon si e pavarur në listën e PD-së, partia e qendrës së majtë italiane.

Gerarta Ballo, apo Geri, siç e thërrasin miqtë, ka nisur jetën e saj në itali në moshën 11 vjeçe dhe ka qenë gjithmonë aktive ndër vite dhe një zë i rëndësishëm i komunitetit shqiptar të Italisë.

Ka kryer studimet në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Torino dhe ka punuar si gazetare, duke themeluar njëkohësisht disa shoqata të cilat lidhen ngushtë me aktivitetin e saj për të rinjtë, emigrantët dhe gjeneratat e dyta. Në këtë qytet pothuajse 10 vjet më parë drejtonte emisionin radiofonik ‘Shqip in Torino’.

Pikë referimi për diasporën e hershme të arbëreshëve dhe atë të re shqiptaro-italiane, Gerarta nuk u shkëput nga Shqipëria. Përkundrazi, eksperienca e punës më e fundit është në diplomacinë shqiptare, ku punoi për dy mandate në Ambasadën e Shqipërisë në Romë.

Gerarta gëzon respektin dhe mbështetjen e arbëreshëve, nga ku ka marrë edhe vlerësime të rëndësishme siç është titulli Qytetare Nderi e Lungro-s, bashki arbëreshe e Kalabrisë ku ndodhet selia e Ipeshkvisë së ritit bizantin.

Mbështje të madhe ka marrë nga miq të shumtë italianë, por edhe nga komuniteti shqiptar në Itali që po vjen duke u shtuar ora orës.

Si aktiviste dhe studiuese e mirë e emigracionit dhe e realitetit kompleks të gjeneratave të dyta në Europë, Gerarta do të jetë një zë i fortë i komunitetit të hershëm dhe të ri shqiptar në Itali, por edhe për politikat e zhvillimit të kolegjit zgjedhor të Italisë së Jugut, ku edhe është kandidate.