Gazetari Nikollë Lesi dhunohet nga policia, Berisha: Do përgjigjeni për këtë akt banditesk!

Gazetari, publicisti dhe botuesi i njohur Nikollë Lesi është dhunuar nga policia dhe është tentuar të shoqërohet me dhunë në Komisariat pa asnjë arsye. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë ndërsa zhvillohej protestat e opozitës.

Lesi është dhunuar brenda makinës së tij teksa po shkonte në redaksinë e gazetës së tij “Koha Jonë”, duke marrë plagë në krah.

Forca të shumta policie, edhe ato të repartit ‘Shqiponja’, dolën para makinës së tij dhe tentuan ta marrin me forcë për në komisariatin e policisë, pa asnjë arsye.

Ish-kryeministri, Sali Berisha, përmes një denoncimi në facebook ku ka publikuar dhe fotot nga lëndimet që ka marrë Lesi, thotë se Edvin Urrejtësi, në një akt hakmarrje primitive ndërsen dhe keqtrajton me narkopolicë të droguar drejtorin e gazetës së vetme të pavarur të Shqipëris, “Koha Jonë”.

Berisha thotë se keqtrajtimi i Nikollë Lesit është një atentat i rrezikshëm i kreut të narkoshtetit Edvin Kristaq Urrejtësit ndaj fjalës së lire dhe mediave të lira.

“Ky akt i shëmtuar është një përpjekje kriminale për të shuar zërat kritik ndaj regjimit kakistokratik të Edvinit dhe narkopushtetarëve të tij që përpëliten në një agoni të pashpresë”.

Duke dënuar me ashpërsine më të madhe këtë akt kriminal ndaj zotit Lesi, Berisha paralajmëron sponsorët dhe ekzekutorët e tij se do të përgjigjen personalisht për aktin banditesk, dëshmi sipas tij e një fundi të shpejtë dhe të tmerrshëm për ta.