Flet nga burgu 313, vëllai i Admir Muratajt: Korrupsioni arrin nga parlamenti, deri tek aeroporti. Si i vodhi 10 milionë euro?

Flet nga burgu 313, Aleksandër Murataj, vëllai i Admir Muratajt, grabitësit të vrarë në grabitjen spektakolare në Rinas.

Në një lidhje telefonike për Report Tv ai tha se kërkon që të shkojë në varrimin e të vëllait në Tropojë, por nuk lejohet nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“Kemi kërkuar një leje dhe të gjitha procedurat i kemi kryer në orën 4 të gjitha procedurat. Burgjet s’na përgjigjen, kërkoj të drejtën që më takon. S’dua më shumë. Kam vite që se kam takuar se kam 2 vite që jam brenda. Më mbajnë këtu kot, s’më ka pyetur asnjë prokuror apo njeri. As drejtësinë s’ma japin, as në varrim s’më lenë të shkoj. “-tha Murataj.

Më tej, ai tha se lajmi i publikuar sot për sekuestrimin e pasurisë është i rremë, pasi pasuria është sekuestruar që kur ai u ndalua nga policia. Aleksandër Murataj tha se ka mbi 2 vite që nuk e ka parë të vëllain e tij, dhe shtoi se nuk ishte Admir Murataj organizatori i grupit.

“Dita e fundit që e kam parë ishte 2 muaj para se të arrestohesha. U arrestova se shkova tek shtëpia e vëllait. Sekuestrimin e pasurisë e kanë bërë që kur u arrestova unë, këto i nxjerrin gazetarët për show. Spekulime nga gazetarët apo nga njerëz të gabuar. Të quhesh organizator, e të vritesh s’është normale. Të vritet organizatori e të lihet në qoshe të rrugës. Nuk di mënyrën si e vranë, edhe sikur policia t’a ketë vrarë, edhe policia ka të drejtë të japë urdhër ndalimi. Edhe fotot që nxjerrin është djalë nane. S’vritet robi ashtu edhe nga policia. Si i nxjerrin ato foto, ka shpirt, është djalë nëne. S’mund ta nxjerrin ashtu si qen rruge.”-tha Aleksandri.

I vëllai i Admir Muratajt foli për grabitjen dhe hodhi dyshimet se pas saj fshihen lidhje nga parlamenti tek aeroporti i Rinasit.

“Korrupsioni arrin nga parlamenti, deri tek aeroporti. Si i vodhi 10 milionë euro, kështu? Shkon ti dot? S’ka shanse që ka vajtur vetë. Admiri nuk sheh filxhan, nuk ka pasur nga ta dijë që po transportoheshin para. Unë kam jetuar 23-vite në emigracion, akoma nuk kam gjetur të drejtën time.

Dyshimi im është që e ka dërguar dikush aty…Nuk kemi ngrënë njeri në besë.”-tha Murataj.

Ai foli edhe për lajmet mbi pasurinë e Admirit dhe mohoi që kamerat e sigurisë në kërë shtëpi të kushtojnë 300 mijë euro.

“Prokuroria më lejoi të shkoj në varrim, drejtoria e burgjeve jo. Më arrestuan se shkova në shtëpinë e vëllait, shikoni se çfarë bën policia dhe prokuroria me njerëzit. I arrestojnë dhe i quajnë grup i strukturuar kriminal. Si ka 300 mijë euro Admir Murataj kamera? Çfarë është? As shtëpia e Bardhë nuk ka 300 mijë euro kamera? Ku janë 1.5 mln euro? Nuk dua spekulime, dua drejtësi. Jam në burgun 313, këtu më keni”-tha ai.