Maldini: Milani i shëndetshëm, s’trembemi nga UEFA

Te Milani janë të qetë për rrezikun që mund t’i vijë nga UEFA për Fair Play-n Financiar. Kjo kuptohet edhe nga fjalët e legjendës kuqezi, Paolo Maldini, që shprehet i kënaqur edhe me punën e trajnerit Gattuso.

Komunikimi me UEFA-n nuk është një surprizë, pasi prej kohësh zhvillojmë dialog të përjavshëm me organin drejtues të futbollit. Gjithsesi, mbetet për t’u disktuar çështja e keqmenaxhimit para grupit Elliot. Lidhur me stolin, jemi shumë të kënaqur me Rinon, posti i të cilit, dua ta theksoj, nuk ka qenë kurrë në diskutim, pasi jemi të bindur se ai është trajneri i duhur për këtë skuadër.

Më pas, Maldini thellohet edhe në debatin mbi sanksionet eventuale që mund të vijnë nga UEFA.

“Edhe vitin e shkuar duhet të ishim përjashtuar nga kompeticionet europiane, por më pas ndërhyri Gjykata e Arbitrazhit Sportiv dhe gjithçka u zgjidh. Ne, si klub, dëshirojmë që përballja të jetë gjithnjë nëpërmjet dialogut. Fair Play Financiar ka rritur detyrimet e klubeve në futbollin europian, por të mos lejosh një klub me borxhe të impenjohet në merkato është e papranueshme. UEFA e ka kuptuar se me këtë bord drejtuesish Milani është një klub i shëndetshëm, pa borxhe, dhe që dëshiron të rikthehet në nivelet e larta.”

Duke iu referuar ndeshjes së të shtunës ndaj Lazios, Maldini shtoi se edhe bardhekaltrit, sikurse Milani, kanë shanse për të hyrë në Championsin.

Rikthimi në Champions është një detyrim për këtë skuadër, pas shtatë viteve mungese, ndaj tashmë të gjitha forcat e kuqezinjve janë orientuar drejt tij.