Lufta e fotografive për ushtrinë në Rinas.

Nga Pëllumb Nako/

Për të justifikuar apo kundërshtuar vendosjen e ushtrisë në mbrojtje të aeroportit të Rinasit ka “plasur” një luftë fotosh ku ushtria paraqitet duke mbrojtur disa aeroporte nëpër vende të ndryshme Europiane, ndërmjet tyre edhe aeroporti “Charles de Gaule”në Paris, Francë.
Të paktën në këtë aeroport, pjesa e ushtrisë që përdoret është e trajnuar posaçërisht për misionin që kryen. Pra jo çdo njësi ushtarake. Dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me xhandarmërinë.
Por ajo që vlen, është fakti se kush është baza ligjore dhe motivet për të cilën përdoret kjo forcë.
Ajo përdoret mbi bazën e një plani të quajtur “Vigipirate” të hartuar nën kryesinë e Kryeministrit i cili presupozon nivelin me të lartë ( nga 3 gjithsej) të alarmit ndaj atentateve terroriste. Plani shoqërohet me 300 masa në 13 fusha.
Por për çfarë motivi? Ja motivi i përkthyer fjalë për fjalë: “ Nën varësinë e Kryeministrit, plani “Vigipirate” është përqëndrimi në nivel qëndror i të gjitha mjeteve (burimeve) franceze të luftës kundër terrorizmit, në atë masë sa që kërkohet bashkëngjitja në të i të gjithë aktorëve kombëtarë – Shteti, pushteti lokal në territor, operatorët publikë dhe privatë si dhe qytetarët- në një përpjekje për më shumë vigjelencë, parandalim dhe mbrojtje.”
Pra jemi larg asaj që ndodhi në Rinas.

*Ish drejtori i policisë së Kufirit