Edy Reja në stolin kuqezi, Tare e Cana bindën federatën

Trajneri i ri vjen me bekimin e Lorik Canës e të Igli Tares.
Javë vendimtare në zyrtarizimin e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare.

Kanë mbetur pak detaje lidhur me marrëveshjen që është arritur mes FSHF-së dhe trajnerit të ri, i cili pritet të zyrtarizohet dhe do të jetë veterani italian Edy Reja.

Palët janë ende në bisedime për objektivin dhe kohëzgjatjen e kontratës pas Euro 2020, ndërkohë që mësohet se kanë qenë Igli Tare dhe Lorik Cana ata që propozuan emrin e Edy Reja, si pasues të Christian Panucci.

Edy Reja, ish-trajneri i njohur dhe me përvojë i shumë ekipeve italiane, si me Napolin, për herë të fundit si ekip elitar ka drejtuar Lazio dhe Atalanta, në Seria A.

Ai drejtoi ekipin e Atalanta në sezonin 2015-2016, por periudhën më të gjatë e ka pasur te Lazio, nga viti 2010 deri më 2014, kohë kur te kjo skuadër ishte pjesë e saj edhe ish-kapiteni kuqezi Lorik Cana.

Përveç njohjes me Canën, Reja ka një miqësi me drejtorin sportiv të Lazio, Igli Tare, ndërkohë që ndihmës i Edy Reja do të jetë Alessandro Calori, trajner i Ternana me të cilën ka mbyllur bashkëpunimin për këtë arsye.

Megjithatë, detyrë e Edy Reja është që t’i kthejë besimin e humbur Kombëtares në ndeshjet e mbetura kualifikuese, ndërsa për kualifikueset Katar 2022, një projekt edhe më ambicioz parashikon që stafit kuqezi t’i bashkohen ish-emra të shuar kuqezi si Besnik Hasi, Lorik Cana, pse jo edhe rikthimi i Gianni de Biasi.