Armiku ynë i përbashkët

Nga Arben Kallamata/

“Këta janë më keq se Enver Hoxha,” iu përgjigj një zonjë komentit tim në postimin e një miku ku po diskutohej korrupsioni i politikanëve të sotëm. “Enveri vetëm një shtëpi kishte, kurse këta…”

Iu përgjigja duke shkruar se never hoxha ishte e keqja më e madhe e mundshme; se ai nuk kishte nevojë për pasuri dhe llogari bankare, sepse kishte pushtet absolut në Shqipëri. Domethënë që ai kontrollonte në mënyrë të plotë gjithë pasurite e burimet natyrore të vendit dhe të gjithë njerëzit që jetonin brenda territorit të tij. Njerëzit që jetonin në Shqipëri ishin praktikisht skllevër të Enver Hoxhës dhe familjes së tij, skllevër pa të drejta dhe pa liri. Ai i detyronte të punonin dhe të jetonin ku i donte qefi atij dhe i paguante sa i donte qefi atij. Ai i vriste, i burgoste, i internonte sipas dëshirës dhe nuk pyeste nëse ata ishin punëtorë apo fshatarë të thjeshtë, ministra apo kryeministra. Ai ishte i izoluar prej tyre, i urrente ata dhe tallej me ta. Në këto kushte për neverin dhe familjen e tij nuk kishte kuptim pasuria.

Nuk ma do mendja që never hoxha të ketë mbajtur ndonjëherë para në xhep. Nuk ma do mendja që ai ta ketë parë ndonjëherë portën e ndonjë dyqani apo lokali për të blerë. Ai, e shoqja dhe fëmijët nuk merrnin kredi për të paguar për makinat që përdornin, nuk paguanin benzinë dhe nuk llogarisnin sa duhet të ishte rroga e shoferave, truprojave apo shërbyesve të tjerë që iu vinin vërdallë 24 orë në ditë. Gjithçka që mund të blinte paraja brenda vendit ata e kishin të garantuar pa qënë nevoja të përdornin kartëmonedha. Po edhe sikur t’iu duheshin kishte njerëz që ua sillnin shukat sipas nevojave. Kur djemtë, vajza nuset e dhëndëri i tij dilnin jashtë vendit, kishte të tjerë që i mbanin nëpër çanta tufat e dollarëve të cilat nxirreshin nga një fond i veçantë i buxhetit të shtetit që ishte pjesë e pronës së madhe të familjes së neverit të quajtur Shqipëri. As ata dhe as shpurra e atyre që i shoqëronin nuk kishin nevojë të shtrëngonin dorën në shpenzimet që bënin.

Natyrisht, asaj zonjës unë iu përgjigja më shkurt. Por thelbi ishte i njëjtë. Për çudi, ajo u duk e zhgënjyer: “Paskemi jetuar në realitete te ndryshme,” shkruajti.

Vërtet?! Vërtet kemi jetuar në dy realitete të ndryshme? Vërtet, sot, tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit ka njerëz që iu duket e paperceptueshme që never hoxha të ketë qënë diktatori absolut, dora e hekurt që kontrollonte gjithçka në vend? Kaq të dobët e kemi kujtesën kolektive sa të mos mbajmë mend që njeriu e kishte thuajse të pamundur të zhvendosej ne një fshat në një qytet për një jetë më të mirë? Ose nga një qytet i vogël në një më të madh? Ose që qeveria, domethënë neveri ose interesat e tij përcaktonin nëse duhej të studioje apo të mos studioje në shkollë të lartë, për çfarë të studioje dhe ku duhej të punoje?

Ndoshta, këto mund të harrohen. Po a mund të harrohet që ai rraste në burg dhe internonte sipas dëshirës? A mund të mohoet që me mijëra jetë njerëzish janë ndërprerë në mënyrën më brutale duke u hedhur si mbeturina përpara skuadrave të pushkatimit, trikëmbëshave të varjeve, rrahjeve deri në vdekje, burgimeve të tmerrshme apo internimeve të pamëshirshme? Nuk po shkoj te shkatërrimi sistematik i ekonomisë së vendit, varfërimi ekstrem i individit, mungesat e artikujve më të domosdoshëm të jetës së përditshme – veshjeve, ushqimeve, mjeteve të transportit. Nuk po hyj as në fushën delikate, shpesh të paperceptueshme dhe ndoshta të harruar të bjerrjes së plotë të personalitetit të njeriut, mohimit të të drejtave dhe lirive bazë të mendimit të lirë, të shprehjes së tij hapur, të zgjedhjes së mënyrës se si e dëshiron ta shohësh jetën.

Oh, po tani ka korrupsion. A thua atëherë s’kishte korrupsion. A thua tridhjet e ca vjet më parë nuk kishte profesorë universiteti që pranonin favore (financiare, seksuale, ose në forma të tjera) për të kaluar studentë të dobët. A thua në atë kohë nuk funksiononte sistemi i ndërhyrjes për të zgjidhur problemet, që ishte formë shkëmbimi ‘në natyrë‘ e asaj që është sot shkëmbim me para. A thua në atë kohë nuk i zinte vendet më të mira të punës djali i filanit dhe nipi i fistekut. A thua atëherë brigadieri i kooperativës nuk ia jepte punën më të lehtë kooperativistes me cica më të mëdha dhe më të disponueshme dhe a thua nuk gëlonin në rangjet më të larta të partisë dhe shtetit pervertë si Gjelil Gjoni e Feçor Shehu.

Çfarë shoqërie mund të arrijmë të ndërtojmë sot nëse nuk kemi një kuptim pak a shumë të qartë dhe të njësuar të të shkuarës së përbashkët? Pa dyshim një shoqëri të paqartë, që s’di se ku vete.

Kjo paqartësi vjen nga pozicionimi idiot i forcave kryesore politike në vend. Njëra prej tyre nuk ka arritur dhe me sa duket nuk dëshiron të arrijë të shkëputet nga e kaluara e saj – ajo vazhdon të kapet haptazi dhe fshehurazi pas simboleve dhe ikonave të komunizmit – që nga figura e diktatorit e bashkëpunëtorët e tij, te e ashtuquajtura datë e çlirimit, që nga praktikat e kongreseve te uniteti i çeliktë dhe militantizmi, që nga populizmi e deri te propaganda mashtruese. Tjetra ka rënë krejtësisht prè e kësaj loje. Ka 30 vjet që PD propagandon antikomunizmin si të vetmen vlerë të saj dhe luftën kundër komunizmit si të vetmin mision për të cilin është krijuar dhe ekziston. Përtej kësaj, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Ndarja në të majtë dhe në të djathtë në politikën shqiptare katandiset thjesht në ndarje midis atyre që nuk e dënojnë never hoxhën dhe regjimin e tij dhe atyre që e dënojnë.

Në këtë situatë idiote, të dyja partitë janë praktikisht e njëjta – me programe ekonomike dhe sociale të ngjashme, por me qëndrime të kundërta përsa i përket komunizmit. Dhe kjo ka bërë që edhe elektorati të ndahet më dysh – në përkrahës të njërës, që e mohojnë komunizmin, dhe në përkrahës të tjetrës, që e shohin atë me nostalgji. Ndërkohë, politikanët e të dyja palëve bëjnë të njëjtën gjë kur janë në pushtet – mbushin xhepat dhe pasurohen, duke u përpjekur ta zhvendosin vëmendjen e njerëzve të thjeshtë nga problemet reale të vendit te ndeshja komunizmën-antikomunizëm – ndeshje që duhet të kishte mbaruar në vitin 1991.

Si duhet të kishte mbaruar ndeshja? Duhej të kishte mbaruar me përfundimin që never hoxha dhe regjimi i tij ishte një e keqe e madhe e përbashkët, që në shkallë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme infektoi dhe dëmtoi të gjithë shqiptarët. Duhej të kishte mbaruar me përfundimin që të gjithë së bashku, të ndarë në dy, tre, apo katër parti të fillonim të përpiqeshim për të gjetur rrugët që t’i neutralizonim sa më shpejt efektet negative të asaj sëmundjeje, me përfundimin që brezat e ardhshme ta kishin gjithmonë të qartë se komunizmi dhe enver hoxha ishin dhe mbeten armiku ynë i përbashkët dhe se lufta politike në pluralizëm nuk ka pse të ketë lidhje me ta