Të shpejtojmë ngadalë për në BE



Nga Lavdrim Lita

Institucionet e Europës së bashkuar u imagjinuan në një fazë historike, të Pasluftës së Dytë Botërore, ku Perëndimi ishte triumfator dhe mendohej që historia kishte mbaruar, që e gjithë bota shkonte drejt një demokracie liberale me institucione multilaterale si: Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komuniteti Europian për Çelikun dhe Qymyrin, NATO, Organizata Botërore e Tregtisë, ku gjithçka ecte në mënyrë konsensuale dhe të ngadaltë sepse kishte më pak konflikte dhe si rrjedhojë kërkohej më pak eficiencë.
Mirëpo, historia nuk shkoi gjëkundi. U kthye në Perëndim dhe sot po jetojmë marrëdhënie midis shtetesh, institucionesh dhe njerëzish më të vështira dhe mendoj që më të vështira do të bëhen, të paktën për 30 vitet e ardhshme.

Dhe në këtë furi problemesh, makina qeverisëse e BE-së dhe ajo e vendeve anëtare është duke ecur me marshin e parë, ndërsa shtete si Kina, India e SHBA janë në marshin e fundit në autostradën e teknologjisë artificiale, tregjeve virtuale dhe patentave të shpikjeve.

Problemi më i madh është se, mekanizmat funksionalë të BE-së në ditët e sotme duket se janë më të ngadaltë se mekanizmat burokratikë e të centralizuar të vendeve anëtare. Kjo është shumë e rëndë, për shkak se për nga natyra demokracia është e ngadaltë. Pra, kemi nevojë për shpejtësi në vendimmarrje, sidomos për konvergjencën e disa reformave në politikat sociale, fiskale dhe monetare etj..

Dhe shpejtësia është e pamundur kur Këshilli i Europës, i përbërë nga shefat e qeverisë dhe/ose presidentët e 28 vendeve të BE-së, duhet të marrin dy herë në vit vendime në mënyrë unanime për një çështje në tavolinë.

Këtë ngadalësi e ka provuar në kurriz jo vetëm Shqipëria, e cila ka marrë dy herë dhe pritet të marrë një tjetër rekomandim pozitiv të çeljes së negociatave nga Komisioni Europian, por nevojitet vendimi unanim i 28 vendeve të BE-së për dritën jeshile. Vende si Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka etj., janë shumë skeptike për standardet që ka arritur vendi ynë pas marrjes së statusit kandidat në 2014. Qartësisht, Gjermania, Franca dhe Holanda nuk janë të bindura për politikën e frenimit të azilantëve, d.m.th aq sa duhet, për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë për të hapur negociatat. Brenda mbledhjeve me dyer të mbyllura të zyrtarëve të Këshillit Europian është ngritur si rrallë më parë kundër çeljes së negociatave, edhe Greqia dhe Qipro.

E vërteta është se, edhe Kosova po vuan ngadalësinë europiane në vendimmarrje, sepse i është premtuar prej 3 vitesh liberalizimi i vizave, çka është pezulluar pa shkak të qartë dhe të pamotivuar.

Vendet anëtare të BE-së janë nën ethet elektorale të zgjedhjeve të majit për Parlamentin Europian, ku shumë parti do të zhduken dhe shumë të tjera euroskeptike priten të rriten shumë me europarlamentarë. Procesi i zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj është një temë toksike në këto momente dhe nuk pritet të ketë asnjë lëshim. Këto mesazhe kanë ardhur edhe në Tiranë, në zyrën e Kryeministrit Edi Rama, i cili duket se ka trysnuar diplomatët europianë se, nëse nuk çelen negociatat edhe kësaj here, ai nuk do të ndalë të tjerët në retorikën nacionaliste për bashkimin me Kosovën.

Sido që të jetë, një qytetar i Bashkimit Europian pyet sot veten nëse ka ndonjë dobi reale anëtarësimi i shpejtë i vendeve të ashtuquajtura kandidate për në BE. Dobia reale e Shqipërisë si vlerë e shtuar për institucionet, tregun dhe shoqërinë e BE-së është pothuajse zero dhe nuk është adresuar seriozisht nga vendimmarrësit institucionalë dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.