PROFIL/Rudi Erebara, një shkrimtar evropian në Tiranë

Alessia Selimi

Në errësirën e butë të mbrëmjeve të zakonshme të kryeqytetit, një podium i improvizuar prej druri sëbashku me një flamur kuqezi vendosen përballë Teatrit Kombëtar, institucionit në rrezik zhdukjeje. Rregullohet me kujdes fonia. Një grup njerëzish mblidhen aty çdo natë, prej 1 viti tashmë. Reziztojnë, kuvendojnë dhe mbajnë edhe fjalime. Një nga ata është që prej ditës së parë edhe Rudi Erebara. I lirshëm dhe sportiv. “Jemi këtu për t’i siguruar fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre, në mënyrë që të mos shndërrohen nëpër cepa të botës si qytetarë të dorës së dytë”, kështu zgjodhi ta hapte fjalimin e tij më të fundit. E teksa flamuri anash valëvitej në harmoni gati të plotë me gjymtyrët e tij, Rudi preferon më shumë rolin e spektaktorit. Nuk i ka pëlqyer asnjëherë protagonizmi. Vendoset me vetëdije larg fjalimeve pompoze dhe bëhet njësh me ata që e rrethojnë. Sepse ai e thekson: “Teatri është në radhë të parë i spektatorit artdashës”.

Rudi Erebara është një inxhinier besnik i shpirtrave të përvuajtur të së kaluarës. Si një njohës i mirë i këtyre të fundit, ai rreket çdo ditë për shpirtra të paqtë dhe të mbushur me dashuri. Shkrimtar i vlerësuar me çmimin e Bashkimit Europian për letërsinë, përkthyes, piktor….dhe jo vetëm kaq. Duke i mëshuar fort besimit se brenda artistit duhet medoemos të ekzistojë një qenie humane dhe me integritet të lartë, ai ka vendosur të rreshtohet me personazhet më të zëshëm në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. E teksa shkrimtari preferon hijen, aktivisti në të vërtetë preferon të ngrejë zërin. Rudi Erebara po proteston për 15 muaj me radhë jo vetëm për shembjen e Teatrit, të cilin e konsideron monument me rëndësi unike historike dhe arkitekturore. Ai po i kundërvihet fillimisht qeverisjes aktuale, të cilën e krahason me totalitarizmin. “Diktaturat nuk bëhen thjesht nga diktatorët. Diktaturat bëhen nga servilët e diktatorit, të cilët tregojnë zell përherë e më kriminal, thjesht sepse nuk i lejojnë dot vetes pendesën ndaj krimit që kryejnë. Komunizmi është një krim i tillë. Një krim kolektiv i vazhdueshëm derisa mohon edhe ekzistencën e Zotit, me shpresën se nuk do të ketë kurrë ndëshkim për krimin”, shprehet ai për gazetën Mapo.

Sensibilizimi i tij ndaj kësaj çështjeje me shumë gjasa vjen edhe si rrjedhojë i të qenurit i lindur dhe i rritur në Tiranë. Në mënyrë të herëpashershme, Rudi kthehet pas në kohë dhe realizon takime me çapkënin e vogël që shijonte dikur diellin e fortë mbi qerpiçin e shtëpisë së tij, mullagat e hardhucat. I rritur në zonën që sot njihet si Ministria e Jashtme, e cila në një pjesë të madhe është në tokën që ka qenë bahçja e familjes së nënës së tij, Rudi e risheh veten çamarrok teksa përkedhel librat e bibliotekës së gjyshit dhe babait, regjisorit dhe përkthyesit të njohur Gëzim Erebara. Por shkrimtarit të librit “Epika e Yjeve të Mëngjesit” , ku trajtohen ndryshimet, gjendjet sociale, politike, psikologjike e traumatike të ndodhura në vendin tonë në vitet ’70 , nuk i janë venitur ende kujtimet nga radhët e gjata për ushqime.

Sipas tij, uria ende nuk është shuar. Dhe nuk flet këtu për kuptimin e parë të fjalës. Rudi beson se kjo gjë konfirmohet më së miri me vendimin për të shembur Teatrin Kombëtar. “Komunizmi nuk e vodhi njeriun thjesht në pronë. I vodhi dhe shpirtin. Prandaj në këtë vend ka kaq pak dashuri. Prandaj vazhdojnë e ikin përditë e përvit me qindra e mijëra njerëz. Duhet të pendohen ata që bëjnë e kanë bërë keq. Ndryshe nuk ka shpëtim. Historia ndëshkon gjithashtu. E bija e Stalinit ishte armikja e tij”, artikulohet i prerë Rudi Erebara. “E keqja tek ne del me krenari, e plotpushtetshme. Përse del tek ne kaq hapur dhe fuqishëm? Pikërisht për shkak të trashëgimisë komuniste që kemi. Sepse e keqja përgjatë diktaturës erdhi gjithmonë duke u shtuar; ishte dënimi me burg, pushkatimi, internimi…gjysma e Shqipërisë ishte e prekur në mënyrë direkte. Sot, psikologjia e dhunës ende vazhdon”.

Për të, në vorbullën e mjerimit kryesojnë pikërisht artistët, të cilët janë shprehur pro oligarkisë së fjetores prej betoni. “Artisti në radhë të parë është njeri. Nëse një artist i talentuar bëhet lake i pushtetit do të thotë se është njeri pa integritet, ngaqë për një rrogë dyshon në talentin e vet. Edhe kështu e çon gjithë jetën në dyshim. Mjerë kush e ka këtë fat. Arti është shprehja më e lartë e njeriut, edhe njeriu që ushtron artin duhet të jetë forma më e lartë e qenies. Arti mediokër është më i keq se mungesa e artit”, komenton ai. E ka të pamundur dhe në të vërtetë duket se dëshiron t’i mëshojë ngjashmërisë që protesta ndaj projektit teatror publik-privat, ka me atë antikomuniste në ’90. Për të, dëshira për të mbështetur rikonstruktimin dhe jo shembjen e Teatrit është pothuajse e njëjtë me atë të 29 viteve më parë për të rikonstrukturuar jetën nga rrënojat që la pas komunizmi.

Rudi Erebara beson fuqishëm se koha kur qeveria hedh përmbys teatrin ka perënduar dhe se shumë shpejt sipas tij do të perëndojë edhe ky sistem, të cilin e konsideron të korruptuar deri në atome. Ai mandje merr përsipër të shpalosë edhe një alternativë zgjidhje; të përkrahjes së opozitës dhe të unifikimit të qëndrimit qytetar. “Duhet ta mbështesim opozitën të gjithë bashkë, pavarësisht ideologjive dhe besimeve politike. Sepse duhet ta pastrojmë edhe vetë opozitën. E vetmja mënyrë që ne të shkojmë tek një palë zgjedhje të ndershme, është të ndalojmë me çdo kusht pjesëmarrjen e mafiozëve në parlamentin shqiptar. Duhet të përpiqemi të kemi një frymë të përbashkët qytetare në të gjithë territorin e vendit, që në parlament të mos përfundojnë këto gicat dhe derrat që nxjerr Rama.”