Miku Ardian Klosit, Historiani Schmitt: Autokrati Rama mbushi vendin me drogë!

Historiani i njohur, Oliver Jens Schmitt, profesor në Institutin për Historinë e Europës Lindore në Universitetin e Vjenës në Austri, ka folur për gazetën austriake Der Standard. Ai rezervon kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se po përdor çështjen e Kosovës për të fituar kredite politike tek ndërkombëtarët.

Jo vetëm kaq, por Schmitt thotë se Rama po qeveris një vend ku shumica duan të largohen. Megjithëse është autokrat, në Perëndim e shohin si intelektual, thekson ai.

Presidenti serb, Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Rama kanë folur gjithnjë e më shumë prej disa vitesh për një konflikt të gjatë ndër shekuj mes serbëve dhe shqiptarëve dhe e konsiderojnë këtë një problem të rëndësishëm për t’u zgjidhur në Ballkan. Cili është motivimi i tyre pas kësaj?

Të dy e luajnë fort këtë kartë, pasi duan të fitojnë kapital politik prej saj. Kjo është një taktikë e njohur për të fituar vëmendjen ndërkombëtare dhe për të siguruar mbështetje në politikën e jashtme dhe të brendshme. Të dy janë sundimtarë autoritarë, që kontrollojnë strukturat demokratike dhe mediat e lira. Një pjesë e popullsisë po e kupton se çfarë konteksti fshihet pas këtyre sloganeve nacionaliste.

Aktualisht, kryeministri Edi Rama po flet gjithmonë e më shumë për Shqipërinë e Madhe.

Është për t’u theksuar se Rama po vepron tani sikur është udhëheqësi i të gjithë shqiptarëve dhe po anashkalon qeverinë e Kosovës. Ai dëshiron që të fitojë prestigj në politikën e jashtme dhe të brendshme. Por ai drejton një vend, ku shumica e popullsisë- sipas sondazheve- do donte të emigronte menjëherë. Një vend që është bërë prodhuesi më i rëndësishëm i kanabisit dhe ku krimi i organizuar dyshohet se i ka kapur dy ministra të Brendshëm- vëllai i Fatmir Xhafajt, që dha dorëheqjen në tetor, tashmë është dënuar, ndërsa ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri është ngritur një akuzë këto ditë. Studentët kanë protestuar së fundmi kundër stilit autoritar të udhëheqjes së Ramës për javë të tëra, por pak njerëz e kanë raportuar jashtë. Rama mund të drejtojë vendin e tij si një kuti e zezë për shkak të mungesës së kompetencës së Shqipërisë në Perëndim.