Trajneri Panuçi shpall Kombëtaren e Euro 2020

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, ka shpallur të enjten listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e para eliminatore të Euro 2020-ës, përkatësisht ndaj Turqisë, më 22 mars 2019 në “Loro Boriçi” dhe ndaj Andorrës, më 25 mars 2019 në “Estadi Nacional”.
Në listën e 23 lojtarëve që trajneri italian i kuqezinjve ka shpallur për këtë ndeshje, bie në sy fakti se ai ka zgjedhur t’u besojë emrave të konfirmuar të Kombëtares, edhe pse ata nuk kanë qenë në parametra optimalë me klubet e tyre gjatë këtij sezoni.
Por 45-vjeçari ka lënë jashtë Ermir Lenjanin, Jahmir Hykën dhe Sokol Cikalleshin, si dhe disa të rinj premtues, siç është rasti i talentit të dalë nga shkolla e Juventusit, Françesko Tahirajt. Ky i fundit ka spikatur këtë sezon si shënues në kampionatin slloven, duke u zhvendosur në janar tek Hajduku i Splitit në Kroaci.
I vetmi emër i ri është futbollisti që luan në Kroaci, Kristi Qose. Trajneri Panuçi do të dalë përpara mediave në një konferencë për shtyp ditën e diel, në orën 11:00, në selinë e FSHF-së. Grumbullimi i ekipit kombëtar do të nisë po të dielën në Durrës, ndërkohë që seanca e parë stërvitore do të jetë atje në orën 15:00. Ndërkohë, sipas programit mediatik për ekipin kombëtar, për tre ditë me radhë, të hënën, të martën dhe të mërkurën, në orën 13.30 do të jenë përpara mediave dy futbollistë të ekipit kombëtar, teksa të enjten, një ditë përpara ndeshjes me Turqinë, në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 17:00, do të zhvillohet konferenca për shtyp me trajnerin e ekipit kombëtar dhe kapitenin.