Qytetarët në Tiranë festuan masivisht Ditën e Verës edhe pa koncerte milionëshe të Lali Erit

Nga: Xhensila Demollaj/

Qytetarët në Tiranë kanë festuar Ditën e Verës edhe pse aktivitetet për të janë shtyrë më 17 mars. Shëtitja me familjarët ka qenë aktiviteti që shumica e qytetarëve kanë zgjedhur të bëjnë në kryeqytet, ku nuk kanë munguar as shitjet e veroreve apo ballokumeve.

Edhe pse Bashkia e Tiranës shtyu festimet e Ditës së Verës në 17 mars për shkak të kushteve atmosferike, qytetarët zgjodhën të festojnë në mënyrën e tyre. Nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, Parku Rinia dhe zona e Liqenit Artificial ishin disa prej destinacioneve të vizituara prej tyre.

Ballokumja është gatimi tradicional që e karakterizon këtë festë. Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores” një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë.

Edhe këtë 14 mars, qytetarët bënë blerjet e tyre për ëmbëlsirën tradicionale, ndërsa të tjerë kanë përgatitur në shtëpi edhe gatime të tjera.