Hajdari Takim me Ambasadoren e Gjermanisë, SHÜTZ. “Nuk mund të rrimë duar-kryq”

Deputetja Rudina Hajdari ka informuar mediat se ka diskutuar për situatën e vështirë dhe shumë delikate në të cilën ndodhet vendi dhe institucionet Shqiptare aktualisht, me ambasadoren gjermane në Tiranë.

Sipas znj. HAJDARI: Miqtë tanë Evropianë dhe Gjermanë janë tepër të shqetësuar për krizën politiko-institucionale në vend ashtu sikurse është i shqetësuar çdo qytetar Shqiptar.
BE kërkon me të drejtë përgjegjshmëri të lartë dhe integritet nga politikanët Shqiptare, nga qeveria dhe opozita.

Po ashtu, sipas saj, “shtë e papranushme që politika në tërësi të vazhdojë me modelin e vjetër që nuk përfaqëson aspak qytetarët Shqiptarë, aspiratat, qëllimet dhe vlerat e tyre. Dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e opozitës nuk është zgjidhje ashtu siç nuk është aspak zgjidhje arroganca qeveritare.
Sjellja e politikës Shqiptare sot është modeli më i keq i mundshëm që po i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë dhe sidomos të rinjëve.

Nuk mund të rrimë duar-kryq dhe të presim që ky ngërrç i paprecedent politiko-institucional të zgjidhet vetë. Situata mund të agravojë kur aktorët nuk vlerësojnë siç duhet rrethanat. Të gjithë aktorët kanë detyrimin që të reagojnë sa më parë për të orientuar një zgjidhje politike të gjithëpranueshme për krizën e paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, për një zgjidhje që siguron në radhë të parë interesin qytetar dhe kombëtar, pa ceduar demokracinë me qëllim që të ndikojmë pozitivisht të ardhmen e Shqipërisë dhe anëtarsimin e saj në BE”.