Të gënjesh në emër të Shqipërisë.

Pëllumb Nako
Po, kështu ka ndodhur. Ishte një delegacion me në krye një shef të madh dhe shkuam në Itali. Të impresionuar nga mosha e re e shefit tonë të madh, homologët italianë pyesnin gjithë kuriozitet sesi ai kishte hipur kaq shpejtë në majat e larta të karrierës.
I lumtur, shefi u përgjegj se kishte disa vite që punonte në drejtim dhe kishte mbaruar dy fakultete. Italiani kurioz, që kishte pyetur pak më parë për moshën dhe vitet e punës së shefit tonë, bëri llogaritë edhe për dy universitetet e tij dhe gjithë turp tha: Po kështu i bie që zotëria të ketë mbaruar universitetin në moshën 18 vjeçare. Duke qenë se përkthyesi u gufos, ndërhyra dhe thashë se shefi ynë ka qenë i shkëlqyer në mësime. Në një vit kalendarik ka bërë dy vite shkollë. Me kaq situata u qetësua. Italiani bëri sikur e hëngri, ne bëmë sikur ia hodhëm. Shefi nuk mori vesh gjë. Kur takimi mbaroi i tregova atij për incidentin duke i sugjeruar se nuk duhet gënjyer përsëri pasi dalim bosh. Ai m’u përgjigj: Nuk gënjeve për mua, gënjeve për Shqipërinë.