Gylsen Zhllima: Policia e Shtetit në mbrojtje të abuzimeve të Shërbimit Përmbarimor

Abuzimet e zyrave përmbarimore në Republikën e Shqipërisë janë në top listën e kërkesë-padive në gjykatë. Rastet konkrete janë: kundërshtim veprimesh përmbarimore, pavlefshmëri ankandi, pezullim ekzekutim e shumë të tjera. Situata e djeshme, në Tiranë dhe jo vetëm, tregon se profesioni i përmbaruesit cenon ligjshmërinë, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, moralin shoqëror dhe qetësinë publike.

Ligji aktual duhet të qartësojë më mirë procedurat e ekzekutimit dhe mënyrat e tij. Kurse udhëzimi i përbashkët Polici e Shtetit dhe Përmbarues Gjyqësor i vitit 2017 duhet të zbatohet duke u bazuar plotësisht në transparencën e çdo akti procedural, i cili ndërmerret nga dy palët.

Parada e Policisë së Shtetit dje për t’i ardhur në ndihmë përmbaruesit gjyqësor, ishte një turp institucional dhe moral. Asnjë nuk kundërshton vendimin e gjykatës, por mënyra barbare e një policie që rrethon një shtëpi private, me trupa policore që tejkalonte 50 burra e gra me uniformë ishte një skandal. Dje u shoqëruan banorët e asaj zone në komisariat, kurse pronari ‘DH Albania’ që falsifikoi letrat për 30 milionë euro te Unaza e Re dhe në OST është ende i pakapur nga policia.

Qeveria aktuale nuk ka vullnet që të përmirësojë ligjin e përmbaruesit Gjyqësor,sepse problemi çalon te Oborri dhe kur Oborri kënaqet me abuzimet, edhe fushata bëhet më romantike. Sot, qeveria ngelet shikuese kur shkelen të drejtat e njeriut dhe të pronës, se sa të shuajë konfliktet. Konfliktet nuk shuhen vetëm duke hequr shefat e policisë, pse kanë qenë të ministrit të vjetër, por duke bërë ndryshime ligjore që i përkasin realitetit social në vend.

ZGJIDHJA e ka deklaruar përherë se është kundër prishjeve të ndërtimeve pa leje, ose në proces legalizimi, sepse ato janë lejuar nga qeveritë e tranzicionit, në këmbim të votave. Pronat e tyre duhen dëmshpërblyer sipas vlerës së tregut dhe atyre u duhet siguruar strehë nga autoritetet shtetërore dhe mbështetje për biznesin, sepse qeveria e ka për detyrë që të ndërtojë shtet social dhe jo pushtet policor, të ndërtojë ekonomi zhvilluese dhe jo diskriminuese dhe mbi të gjitha të respektojë të drejtat kushtetuese të njeriut, të jetës dhe të pronës.

#ZgjidhjaPerPronen

*Anëtar i kryesisë së partisë ZGJIDHJA