“Jemi për ibret”,- Basha: Kam ardhur t’ju them se ka një rrugë për t’ia dalë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar turin e takimeve me qytetarët në qytetet e ndryshme të vendit, për t’i ftuar në protestën e paralajmëruar për tu mbajtur në 16 shkurt.

Ai u shpreh se vetëm të bashkuar gjërat mund të përmirësohen, ndërsa u premtoi ndryshim të situatës së vendit.

“Nëse jemi të bashkuar, punët shkojnë mirë. Jam shumë i nderuar nga pritja e qytetarëve. Zëri i biznesit duhet të dëgjohet.

Propozimi ynë që të bashkohemi që t’ia heqim nga duart ekonominë oligarkëve dhe tua kthejmë njerëzve. Duhet normalitet. PD Nuk ka ftuar vetëm burrat dhe djemtë por dhe gratë e vajzat”, tha Basha.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bashkëbiseduar me qytetarët e Vlorës për problemet e tyre dhe u ka prezantuar programin e PD-së për zgjidhjen e tyre,  ndërsa ka përshkuar në këmbë një nga rrugët e qytetit dhe ka ndaluar dyqan më dyqan.

“Janë plane konkrete”, i tha Basha një çifti tregtarësh, “nuk janë premtime. Por tani na duhet ndihma tuaj”.

“Për ibret! – i tha tregtarja. – “S’ka më keq! Ka një rënie të jashtëzakonshme të blerësve. Rrimë në xhade dhe numërojmë njerëzit”.

“Kam ardhur t’ju them se ka një rrugë për të dalë, – u tha Basha. – Qeveria ka marrë 2 miliardë euro taksa nga shqiptarët, por nuk i ka kthyer në investime apo politika, por ua ka ndarë 4-5 vetave, oligarkëve. Shqipërinë e kanë marrë peng këta 5 veta me ndihmën e Kryeministrit. Plani ynë është t’ua heqim atyre nga duart e t’ua kthejmë shqiptarëve. Normalitet dhe dinjitet.

Por që të shkojmë deri aty, na duhet ndihma juaj, edhe e grave. Të gjithë bashkë më 16 shkurt!”.