Qeveri e mrekullueshme

Astrit Lulushi

Kur njerëzit detyrohen të heshtin kur u thuhen gënjeshtra, ose, edhe më keq, kur janë të detyruar të përsërisin vetë gënjeshtrën, ata humbasin njëherë e përgjithmonë ndjenjën e ndershmërisë. Qëllimi i propagandës nuk është të bindë, as të informojë, por të përulë. Që gënjeshtra të pranohet me të duhet bashkëpunuar dhe në një farë mënyre njeriu bëhet gënjeshtar e i keq. Një shoqëri e tillë është e lehtë të kontrollohet.

Nuk ka nënshtrim më të përsosur sesa ta bindësh njeriun
se liria është e lehtë të arrihet, se ajo vjen vetë, dhe s’ke nevojë të bësh përpjekje për ta arritur.

Është vepra që mëson, jo emri që i japim. Vrasja dhe dënimi me vdekje, thotë George Bernard Shaw, nuk janë kundërshtarë që anulojnë njëri tjetrin, por të ngjashëm, që prodhojnë llojin e tyre. Po ashtu edhe totalitarizmi fillon të përbuzë atë që kemi, prandaj njerëzit fshehin pasurinë e tyre, duke dalë të gjithë të varfër.

Gjërat duhet të ndryshojnë – pa marrë parasysh se si, çdo gjë është më e mirë se ajo që kemi. Për të ruajtur status-quonë, një regjim shtypës organizon llojin e mendimit masiv, dhe nëpërmjet propagandës, i bënë njerëzit ta duan atë. Tirani thotë fillimisht se njerëzit nuk duhet të vrasin, dhe ata i binden. Pastaj thotë se ka ardhur koha për të vrarë dhe njerëzit vrasin njëri tjetrin. Edhe pse mendojnë se është shumë e vështirë për të vrarë, ata binden ta kryejnë atë, sepse vrasja është bërë pjesë e kodit të sjelljes, si për shembull, gjakmarrja. Ata mësojnë se cilin duhet të vrasin, si të vrasin dhe si ta bëjnë atë në bashkërendim. Totalitarizmi i bën thirrje nevojave shumë të rrezikshme emocionale të njerëzve që jetojnë në izolim të plotë dhe në frikën e njëri-tjetrit, thotë Hannah Arendt. Sipas një fjale, nëse njerëzit nuk mund t’i bindni, ngatërrojini, përçajini. Edhe korrektësia politike është fenomen i propagandës. Viktimizimi përdoret si mjet për të demonstruar virtytin e dikujt, ndërsa njerëzit e zellshëm dhe ambiciozë cilësohen lakmitarë, ndëshkimi i krimit të njërit është shtypje drejtuar ndaj gjithë të tjerëve, një mendimtar i pavarur, i cili qëndron për guxim e vetëbesim, dënohet a veçohet, dhe shkolla apo arsimimi i organizuar nga qeveria do t’u mësojë fëmijëve se qeveria është e mrekullueshme.

more recommended stories