Ekzekutohet me 15 plumba vëllai i këshillitarit bashkiak, po pinte kafe

Nga: Bepin Kolvataj

Një 53 vjeçar u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e së premtes në qytetin e Shkodres.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Guerrile” dhe viktima
u identifikua si shtetasi Fatbardh Lici.

Ai ka qenë duke pirë kafen e mëngjesit në një lokal
në rrugën kryesore të unazës perendimore, kur është qëlluar për vdekje.

15 plumba janë shkrepur në drejtim të tij nga
autori që mësohet se ka qenë i maskuar dhe që menjëherë më pas është larguar nga vendngjarja, duke shfrytëzuar daljet e shumta që ka unaza me rrugë të tjera dytësore të qytetit.

Nuk dihet ende nëse arma e përdorur në vrasje ka qenë pistoletë apo kallashnikov, por provat balistike do ta përcaktojnë thonë burime policore.

Pak minuta pas ngjarjes policia bëri me dije se gjeti në lagjen “Dobraç” një automjet tip Benz duke u djegur, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autori për të lëvizur në momentin e krimit.

Forcat e policisë bënë krehjen e zonës dhe ngriten disa pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Disa bizneseve në zonën ku ndodhi ngjarja do tu sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka të tilla.

Megjithatë policia po ndërton skemën e ngjarjes, bazuar edhe në dëshmitë e personave që kanë qënë në zonë në momentin e vrasjes, ku disa shtetas janë shoqëruar në komisariat për tu marrë në pyetje.

Zyrtarisht policia nuk jep asnjë të dhënë mbi pistën e hetimeve që po kryen për këtë vrasje, edhe pse nga burime të brendshme mësohet se kryesorja është ajo e hakmarrjes.

Viktima është vëllai i këshilltarit bashkiak të Shkodrës, Mustafa Licit.