Basha: Nderimi më i madh për poetin kryelartë të lirisë, Havzi Nela

Mesazhi kreu të PD, Lulzim Basha në 30 vjetorin e vdjekjes së poetit Kuksian

3 dekada mbushen sot nga dita kur xhelatët gjakatarë të Tiranës komuniste varën në litar në mes të Kukësit, poetin që i këndoi lirisë Havzi Nela. E dënuan me vdekje poetin vetëm se i thurte himne lirisë. Sepse asgjë nuk i tmerronte më shumë se liria, kriminelët e rrëgjuar të Byrosë, dorasit e tyre në Sigurimin e Shtetit, dhe pseudo-intelektualët që me zellin e tyre kriminal ishin po aq duarngjyer në gjakun e poetit.

Ishte viti kur perdja e hekurt po grisej dhe Europa po çlirohej nga tirania komuniste.
Por ashtu si në tragjeditë e Eposit të Kreshnikëve, duhej një theror tjetër i përgjakshëm për ta shkundur nga koma Shqipërinë e izoluar e të varfëruar deri në dhimbje dhe shqiptarët e zvetënuar nga frika e terrorit, nga trushpëlarja, të shpronësuar e të ndaluar me ligj të besonin në Zot, të mendonin vetë, të flisnin të lirë, të kishin pronën e tyre private e të drejtat e tyre njerëzore.

Ky theror në altarin e lirisë ishte poeti, mësuesi, patrioti dhe shqiptari i pathyeshëm nga Kukësi, Havzi Nela, sfidanti me vargje i diktaturës së ligë e gjakatare dhe krimeve të saj kundër shqiptarëve. Pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij të lirë ndaj vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull. Por vetëm e përjetësoi Havzi Nelën, martirin e lirisë.

Mbi një komb të tërë rëndon edhe sot mëkati për varjen në litar të një poeti për vargjet e tij! E zezë është faqja e atij kombi që pranon të predikojnë sot për drejtësi xhelatët e pandëshkuar të krimeve të komunizmit dhe bijtë e tyre të papenduar!

E keqja përsëritet nëse nuk e dëgjojmë kumtin e Havzi Nelës se çfarë të zezash e presin atë popull dhe shoqëri ku vdes fjala e lirë dhe shpirti i kundërshtimit ndaj të keqes. Nderimi më i madh për poetin kryelartë të lirisë, është të ngrejmë krye kurdoherë kundër tiranisë së të keqes, për liri, për demokraci, për Zot dhe Atdhe, për veten dhe fëmijët tanë!