Shqiptari i çuditshëm

Nga Namir Lapardhaja

Shqiptari është i çuditshëm. Midis të ndershmit dhe të korruptuarit, zgjedh me qejf të dytin; midis të drejtit dhe hipokritit, parapëlqen hipokrizinë; midis të diturit dhe injorantit, përqafon padijen dhe budallallëkun.

Urtësinë e merr për dobësi, maturinë për mefshtësi dhe brutalitetin për zgjuarsi.

Dashuron xhelatin, sheklmon të dobëtin, adhuron të fortin.

E shkuara nuk i shërben për reflektim, e tashmja nuk i jep asnjë mësim, e ardhmja nuk ka asnjë kuptim.

Ëndërron të pasurohet shpejt, pavarësisht burimit të të ardhurave; si model i të rinjve shërbejnë politikanët e korruptuar, jeta luksoze, luksi i shfrenuar; sheh bardhezi, duke mos u ngritur mbi militantizmin.

Kur është në pushtet, mendon vetëm se si të vjedhë e se si të pasurohet në mënyrë të paligjshme; kur është në opozitë mendon që të shpenzojë sa më shumë për të ardhur në pushtet, ngase ato që harxhoi do t’i rifitojë shumëfish.

Me se ushqehet? Me fjalime politike! Vaktet e ngrënies? Mëngjes: paçe dhe gazeta (+emisionet e shfryrjes së ankesave të turbullirave të natës); drekë: gjizë, ullinj, 1 teke raki…2 teke…3 teke… dhe lajme (sipas ndasive politike dhe përfytyrimit për televizionet ku ndiqen lajmet); pasdite: i dehur nga dreka, me dhembje koke, domino dhe tavëll (të bërtitura dhe ulërima aty ku luhet, por që dëgjohen edhe më tej, pavarësisht distancës); darka: grosh, kos, një vezë e skuqur dhe emisione politike, debate, mundësisht të nxehta dhe shumë pordhë….nacionaliste.

Triumfon militari përpara civilit, agresivi përpara tolerantit, i politizuari përpara qytetarit…

Sa i çuditshëm ky shqiptari…

Apo jo?!

more recommended stories