Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit merr përsipër ndryshimin e Piramidës, si hapësirë multifunksionale

Nga një ngrehinë e rrënuar prej vitesh, Piramida e Tiranës do të transformohet në një nga qendrat më të mëdha të inovacionit dhe teknologjisë, artit e kulturës, në rajon. Pas bashkëpunimit të suksesshëm për rikualifikimin e Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, prezantuan sot projektin e rivitalizimit të Piramidës në një hapësirë multifunksionale në qytet, për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe si mundësi për të bërë art dhe kulturë.

 

 Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e vlerësuar bashkëpunimin me AADF-në si një garanci për suksesin e këtij projekti, theksoi se ky projekt do t’i japë Tiranës një tjetër xhevahir të çmuar pas sheshit “Skëndërbej” dhe Pazarit të Ri. “Më duket sikur këtë bisedë po e bëjmë në Suedi, sepse Suedia është vendi ku kodimi për fëmijët fillon që në klasën e parë. Në Tiranë do të fillojmë të kodojmë, të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, softëare design nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç. Sigurisht, fokusi më i madh do të jetë tek ata në moshë shkollore, pra shkolla 9 vjeçare dhe e mesme, pastaj do kemi programe të veçanta edhe për ata që janë në moshë më të rritur, universitare. Ideja është që të shkohet në një vend të bukur, jo në një  tjetër shkollë ku dikush shkon me detyrim se do marrë një notë, por në një hapësirë që është jo vetëm në zemër të qytetit, por që është edhe xhavahiri më i çmuar i qytetit, pas projekteve si sheshi “Skënderbej” apo Pazari i Ri”, tha Veliaj.

Ai shtoi se zbatimi i modelit TUMO do ta kthejë Tiranën në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit të teknologjikë krijuese, jo vetëm në rajon. “Më vjen mirë që Tirana dhe Parisi janë dy stacionet e radhës të TUMO-s. Do të jetë në fakt një lloj ‘pallat pionierësh’ për teknologjinë e informacionit. Më vjen mirë që edhe në Tiranë kemi uri për dije, që do të lindin nga kjo piramidë, le më pastaj se çfarë mund të përdorim në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se projekti i transformimit të Piramidës do të ruajë disa nga karakteristikat nostaligjike të kësaj godine, siç është rrëshqitja në muret e saj, si dhe do ta kthejë atë edhe si një pikë panoramike për qytetin.

Drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael D. Granoff u shpreh i bindur në suksesin e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, ashtu si edhe në rastin e Pazarit të Ri, për ta shndërruar këtë godinë në një hapësirë të dashur për shqiptarët. “Është një nder dhe kënaqësi që përfaqësoj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe ky projekt përmbledh shumë prej gjërave që jemi munduar të bëjmë që nga fillimet tona. Shumë njerëz e shohin këtë piramidë në të shkuarën dhe ky projekt lidhet tërësisht me të ardhmen. Nëse mendojmë se si do të duket Shqipëria pas 10-20 vjetësh, është që të shohim fëmijët këtu dhe nëse fëmijët kanë akses në teknologji, është e sigurt se Shqipëria ka prosperitet. Po fusim diçka të re në sistem, që mund të sjellë ndryshim. Suksesi është të gjejmë modelet më të mira në botë, t’i përshtasim për mjedisin vendor dhe të arrijmë suksesin në Shqipëri”, deklaroi Granoff.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Risi e revitalizimit të qendrës qëndron në faktin se modeli TUMO është një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit. Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë e tyre të të mësuarit për t’u përballur me sfidat e shekullit 21. Programi i të mësuarit TUMO përbëhet nga aktivitete të vetëmësimit, ëorkshope dhe laboratorë në 14 programe të ndryshime nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë nga e gjithë bota .

Programet që do të ofrohen nga TUMO janë:

– Animacion

– Zhvillimi i Lojërave

– kinematografia

– Web Design

– Muzikë

– Shkrim

– Vizatim

– Dizajn Grafik

– Modelimi 3D

– Programim

– Robotikë

– Grafika e lëvizjes

– Fotografi

– Media e re

more recommended stories