Autenticiteti i video-përgjimit, Agron Xhafaj dorëzon zërin e tij në Prokurori

Përmes një letre publike, vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, faktoi se është paraqitur vetë në Prokurori për depozimin e kallzimit penal ndaj zyrtarëve të PD.

Agron Xhafaj, thotë se pranë Prokurorisë, ka deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio-përgjimi i publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false.

Sipas tij, ky audio-përgjim është bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj tij dhe të vëllait, Ministër i Brendshëm.

Agron Xhafaj thotë se ditën e djeshme për të provuar autenticitetin e përgjimit ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikuara nga ligji, përfshirë depozitmin e zërit të tij pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës.

“Kam ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpunimin e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës. Shpresoj që prokuroria dhe gjykata t’i shkojnë deri në fund hetimit penal dhe civil ndaj montazhit te paskrupullt ndaj meje e familjes time” shprehet Xhafaj.

Agron Xhafaj përmes një letre të hapur publike deklaroi sot se do të paraqitet në Itali tek autoritetet përkatëse për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt tij.