Askush të mos e dijë në Elise

Mordecai

Shqipëria po përsërit sot fatin e saj të përcaktuar nga armiqtë strategjikë; një nga liderët e vetëshpallur të saj, endacak i stallave dhe zgëqeve të Francës, po kthehet tani atje në një vizitë zyrtare për të gënjyer Elisenë se qeveria e tij anonime po bën reforma dhe meriton barazinë europiane.

Plot 72 vjet më parë, një tjetër endacak i rrugicave të pista të Francës, u kthye atje si një lider i vetëshpallur i shqiptarëve, në krye të një qeverie gjakatare dhe anonime dhe gënjeu në konferencën e paqes, duke kërkuar një trajtim të barabartë midis vlerave europiane.

Të dyve u duket vetja si liderë të një karvani, që endet pa ndalim, duke sfiduar lehjet ndjellakeqe të qenve; të dyve u duket vetja udhëheqësa supremë plot merita e vizione largpamëse, bashkë me premtimin se mirëqenia është një iluzion që nuk është shfaqur ende.

Europa dëgjon çdo 70 vjet papagallin tonë endacak se si pa pikën e fantazisë mundohet të mbulojë krimet e veta dhe të shpurës së vet apatride, duke kërkuar me dhunë një vend nderi në radhën e shteteve të zhvilluar, në të kundërt mund të shkojë përkrah me hasmin.

Armiku ynë strategjik na sjell në mënyrë periodike nga një endacak prej France, që të na zerojë ëndrrat dhe përpjekjet tona. Kaq e thjeshtë dhe fatidike është shpresa jonë e tradhtuar sa edhe ne e përmbushim rolin tonë të elektorit si në eksperimentet e Pavllovit.

Mjerim të shohësh se si profeti i rremë kënaq me llokma pasurie kombëtare dishepujt e tij në dritë të diellit, në rrugë e sipër për në Europë me stoqe pafund marihuane nëpër hambarë.

Yjet e uritur rrinë e vështrojnë orgjitë e korrupsionit qeveritar shqiptar se si aplikojnë në Europë për të marrë diplomat e pastërtisë dhe titujt e reformave me merita të falsifikuara pas skuadroneve servile, që gërthasin se po bëjnë shtet.

Banorët krenarë të ujdhesës tonë buzë Adriatikut dhe Jonit, Vjosës dhe Drinit, e dinë fort mirë se faqja e zezë e këmishave të qeveritarëve tanë nuk mund të lahet buzë Rinit e Senës, e as buzë Danubit, Elbes e Mainit, me alibinë e tyre mëkatare se po nuk m’i pranoi krimet miku, unë mund të flirtoj edhe me armikun.

Këtë pseudo-filozofi shqiptarët nuk e kanë patur kurrë në jetën e tyre, por kështu i vjen moti, kur qeverisen nga një brigade hienash të paaftë, që brejnë pa ndalim mbetjet e ekonomisë kombëtare, si endacaku kur zgjohet mbret.

more recommended stories