E quanin Refik. Një histori nga Elbasani

Dr. Ali Deliallisi/
Shefqet Deliallisi

E quanin Refik. E thërisnin Fiku. Jetonte pranë nesh. I dobët. I zbehtë. I gjatë.I varfër. Njeri i mirë. Jo më shumë se 13 -14 vjeç. Me shumë vllezër e motra.

Ishin vitet 60-të. Qyteti nuk kishte urgjencë mjeksore. Në familje urgjencat bëheshin nga mjekët banorë të lagjes. Sigurisht që preferoheshin mjekët më të shquar. Me rritjen e qytetit trokitjet në derën tonë u bënë thuajse të përnatshme. Sa herë që dera trokiste babai (mjek) ngrihej, merrte çantën, hidhte krahëve një pallto që gjithmonë qëndronte pranë derës, dhe ndiqte pas njeriun e shqetsuar që kërkonte ndihmë. Asnjëherë nuk shprehu pakënaqsi. I butë, fjalëmbël.

Kur urgjencat ndodhnin ditët e pushimit apo pasditeve, unë shpesh i qepesha pas. Zakonisht më lejonte. Madje rrugës bisedonim si të barabartë. Shpesh ai fliste gjëra që unë s’i kuptoja mirë. Hera herës më krijohej përshtypja se ai nuk fliste me mua, por me veten e tij. Atëherë isha vetëm një 7-8 vjeçar…

Por le të kthehemi tek Fiku.
Ishte e djelë mbasdreke. Trokitje në derë. Ishte babai i Fikut. Banonte pranë nesh, në një shtëpi rrethuar me portokalla. Kërkonte domtorin. Fiku ish “pa qejf.” U nisëm. Babai i Fikut ishte një kultivues i shquar i portokallave në qytet. Portokallat e tij ishin të famshëm, ndryshe nga portokallat e vegjël të Elbasanit, me lëng, por të thartë. Flitej që këtë “racë” portokajsh vite më parë e kish sjellë nga Egjipti beu i madh i Elbasanit…

Sapo hymë në rrugicën pranë shtëpisë, ndjemë erën e rëndë të ilaçit me të cilin spërkateshin portokallat, koçifozin. Atë kohë helmi kish marrë famë të keqe mbasi përdorej jo rrallë për edhe vetvrasje (madje romët e qytetit e kishin futur në repertorin e këngëve të tyre melankolike që këndonin rrugëve të qytetit : “Dy lekë bukë, tre lekë kos, kusurin koçifoz”…..

Atë mëngjez, Fiku me të atin kish spërkatur portokallat me koçifoz. Gjithçka kishte filluar më pas. Kur kapërcyem pragun e shtëpisë, Fiku s’përmendej. Merrte frymë me vështirësi. Kish marrë një pamje të frikshme.
Fiku po fikej.
“Shpejt në spital”urdhëroi babai i shqetsuar. Koha s’priste. Por në ato kohë gjithçka mungonte. As telefona, as automjete…
Në krye të rrugicës, pranë shtëpisë së një shoferi qëndronte një kamion “Skoda” me të cilën ai transportonte trungje pemësh nga pylli. Me këtë kamjon babai me Fikun “fluturuan” drejt spitalit, nën vështrimin e shqetësuar të banorëve të rrugicës që kishin dalë nëpër dyer e tyre. Unë, tashmë jashtë vëmendjes, i hutuar dhe i trishtuar, mora rrugën për në shtëpi. S’më hiqej nga mendja pamja e Fikut me sy të zgurdulluar dhe shkumën që i dilte nga goja…
Do të vdiste ?
Për orë të tëra qëndrova në dritare. Prisja të kthehej babai nga spitali. S’po vinte. Duket punët ishin keq. Kish shpëtuar…apo?
Erdhi nata. Ju drejtova shtratit. Duke bluajtur këto mendime, më kish zënë gjumi.
Sapo u zgjova në mëngjes, me një frymë hyra në dhomën e prindërve. Babai flinte. Ishte herët. Ta zgjoja ? Nguroja. Ndoshta sapo ishte kthyer. Por unë doja të dija për Fikun. Babai më ndjeu, hapi sytë, vuri re shqetësimin tim. Më buzëqeshi. Më foli me zë të ulët : “Fiku shpëtoi. Është ende në spital, por ja hodhi.” I gëzuar e përqafova, dhe u struka në shtrat pranë tij. Mbi flokë ndjeja dorën që më përkëdhelte.

Sa herë që sot, pas kaq shumë vitesh, shoh Fikun, tashmë të moshuar, ndërmend më vjen kjo ngjarje. Koçifozi, “Skoda”… Sigurisht dhe babain im që me dashuri i shërbente të gjithëve.(sh.d)

more recommended stories