Krizë modelesh

Nga Marlin Muça

Gjatë shekullit  të  fundit shoqëria jonë  ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë  nga një krizë e cuditshme modelesh. Them e cuditshme pse modelet që establishmenti i përbashkët politiko-mediatik ofron për popullin mishërojnë pikërisht  Harpagonin që të rinjtë nuk duhet të ndjekin në jetën e tyre.

Edhe në pikat më kulmore të historisë sonë së afërme njerëzit që kane dalë kundër formatit politik të kohës kanë patur një të shkuar të dyshimtë dhe një mani shqetësuese për të rrëmbyer vëmendjen mediatike  Në vitet 40 si përgjigje ndaj pushtimit nazi-fashist, ne krijuam dhe mbështetëm njerëz që me nazizmin i ndante rastësia fatore e lindjes në një cep tjetër të  botës. 5 dekada më vonë , fatalisht rigjeneruam në skenën politike  disa njerëz  që me të djathtin tradicional i lidhnin po ato cilësi të përbashkëta që Regani me Ramiz Alinë ndanin me njëri-tjetrin

C`është e vërteta, cdokush me barrën e njeriut publik  ka dritë-hijet e veta, ndaj të pretendosh personazhe bardh e zi , në një kohë kur ngasja drejt mëkatit përbën sëmundjen e natyrshme të cdo intelektuali, do të thote të kërkosh heroin e zvetënuar të realizmit socialist, një qenie e shtrënguar për të vuajtur brenda kornizave të kobshme ideologjike. Në rastin tonë sigurisht, nuk bëhet fjalë për individë, brilanca e të cilëve arrin deri aty sa të vërë në dyshim vetveten.

Heronjtë tanë  shkojnë përtej dyshimeve normale qe njerëzit e mëdhenj kanë për veten e tyre. Ata janë arrogantë dhe pushtetin politik/ekonomik e shpërfaqin në mënyrën më vulgare të mundshme . Trillet e këtyre personave fillojnë që nga tekat folkorike të ndonjë të pari province, e deri tek hobet e shtrenjta të elitës së “re” politike që e cojnë këtë të fundit në cepat më ekzotikë të planetit. Ky vanitet, padyshim që humbet shkelqimin e tij kur interesat prishen dhe  shfaqjet më të realizuara teatrore i humbasin personazhet e tyre të cilët  nxitimthi zënë vend në retorikën, lëvizjet dhe mimikat e atyre që gjoja luftojnë  për të cjerrë maskën e kësaj klase politike. Fundi ama ndryshon kryekëput nga tragjeditë e skenës. Në fund askush nuk merr guximin të vritet apo të vrasë por thjesht mjaftohet me akuza të pergjithhme duke i qëndruar besnik omertasë së krimit që politika aq mjeshtërisht ia ka rrëmbyer mafies.

Ndaj dhe paralelizimi I viktimave  të pazareve politike  shkuar keq me romantikët e pandreqshëm të popujve kulturalisht dhe etnografikisht larg atij shqiptar,  nuk i shërben kurrkujt tjetër, përvecse atyre që duan ta ruajnë monopolin e  të bërit politikë  në Shqipëri. Historia na mëson se ai që del fitimtar mbi kastën sunduese të një shoqerie, në fund merr pushtetin dhe hap siparin e një epoke të re për popullin e tij. Dyshoj shumë se ai person është ish-Ministri I Brendshëm. Më shqetësues është fakti se një pjesë e madhe e njerëzve e mbështesin këtë kryqezatë te ish-ministrit më të suksesshëm të qeverisë Rama. Ca prej inatit ndaj Ramës dhe Bashës, ca prej magjepsjes kundrejt cunit të lagjes që u be minister, një pjesë e shoqërisë shqiptare e rritur në vitet e ethshme të tranzicionit plot krim, e mbështesin njeriun i cili për vite me rradhë mbushi ekranet e studiove televizve duke u mburrur me ngadhënjimin e policisë me kriminelët. Ky lloj afeksioni përvijon një të ardhme të zymtë për shoqërine shqiptare, Sendërtimi i idesë  se reaksioni-antisistemor  vjen gjithmonë nga analet e sistemit, bën që pikërisht ky sistem të riciklohet pafundësisht gjersa dallimi mes politikanit, kriminelit dhe një  qytetari të ndershëm  të jetë thuajsë i padukshëm pse  jetesa e mbijetesa e secilit prej tyre varet tragjikisht nga dobësia që ata kanë për njëri-tjetrin.

more recommended stories