Diktaturë në veprim

Nga Astrit Lulushi

Jeta në tokë qarkullon. Besëtytënitë, legjendat janë të lidhura me realitetin. Njeriu, kjo qenie e vetëvënë në qendër, s’është gjë tjetër veçse si çdo gjë në tokë. Shpirti kalon nga trupi në trup pas vdekjes, pavarësisht nëse është njeri a kafshë. Kur themi se kafsha mendon, bëjmë historinë tonë, dhe kafsha bën historinë e saj. Historia është e përbashkët. Të dy janë robër të këtij planeti, edhe ky vetë i mbyllur në qeli, sepse gjithësia s’është gjë tjetër veçse një burg pa anë e pafund. Prandaj ekzistojnë edhe mendime të shumta, sepse njeriu në vetmi ka kohë të mendojë.
Natyra është varr i njeriut. Njeriu ha kafshën dhe në fund kafsha bluan njeriun. Çdo gjë riclikohet. E bukura bëhet e shëmtuar dhe anasjelltas. Trupi është asgjë. Shpirti endet. Aty ku fryma hyn sendi vihet në jetë, jo vetëm njeriun, por çdo gjë. Kur fryn erë, gjethet e pemës lëvizin, për ndryshe, ato qëndrojnë në vend, bëhen pa mendim, siç ndodh me trupin pa jetë të njeriut.

Në histori ka periudha përkohësisht pa jetë, pavarësisht se si duam t’i paraqesim. Në historinë e ndonjë vendi ka edhe periudha të vdekura. Vdekja vjen kur trupi dekompozohet, kalbet. Kështu ndodh me një vend që nuk di të përtërihet, apo kur mësohet me gjendjen e nderë. Diktatura shënon gjendjen e vdekur. Asgjë nuk lëviz, çdo gjë paralizohet nga frika. Askush nuk është i qetë a i lumtur në kuptimin e vërtetë të fjalës, madje as diktatori, për të cilin, pas vdekjes, thonë se mjekët e tij e vranë. Jeta e një tirani, krahasuar me jetën e nje njeriu të thjeshtë, është aq e dëshpëruar sa pas krimeve në masë, atij nuk i mbetet gjë tjetër veç të vrasë veten. Prandaj, edhe nëse vdes natyrëshëm, gjithmonë dalin zëra që thonë se krey vetëvrasje. Këto nuk janë thjesht analogji. Edhe shkrimtarët dhe autorët e çdo gjëje artistike të periudhës depresive nën diktaturë i shërbyen qëllimit për ta bërë diktatorin të ndjehej mirë kur ky ishte i dëshpëruar. Veprat e tyre ishin fjalime drejtuar diktatorit nga njerëz plotësisht nën thundrën e tij. Ato vështirë se ishin të sinqerta, prandaj sot duhen hedhur poshtë si të rreme e të turpshme. Çdo gjë filloi me propagandë, dhe vetëm me shfarosjen e saj, kjo periudhë helmuese në rrënjë mund të marrë fund, përndryshe diktatura vazhdon.

more recommended stories